Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare ndeshet nesër me Spanjën në një miqësore luksi, ndërsa më datë 29 mars do të ndeshet me Gjeorgjinë. Trajneri Edi Reja ka dalë në konferencë shtypi bashkë me kapitenin Elseid Hysaj, ku ka folur për sfidën e nesërme me iberikët.
Trajneri i kuqezinjve ka theksuar se pret nga të tijtë të bëjnë një ndeshje të mirë dhe të marrin rezultat. Ai pret të shohë rritjen e Kombëtares edhe ndaj një kundërshtari si Spanja.
“Qëllimi ynë mbi të gjitha është të bëjmë një ndeshje të mirë, të bëjmë një paraqitje dinjitoze. Duhet të shohim në çfarë niveli kemi arritur. Sigurisht, do të më pëlqente të bënim lojë të mirë dhe të merrnim rezultat pzotiv, sepse janë eksperienca që duhen shfrytëzuar. Për Spanjën është e kotë flasësh, do të na vlejë shumë për të ardhmen.
Kemi luajtur ndeshje me skuadra të forta, si Çekia, Uellsi, Anglia, Polonia. Kemi pasur rritje si ekip, por progresi duhet të vazhdojë dhe këto ndeshje na shërbejnë. Djemtë janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe duan të bëjnë më të mirën janë entuziastë. Kisha kërkuar dy kundërshtarë të fortë për miqësore, nuk dua skuadra që mund të kalohen lehtë. Ndoshta mund të luanim ndaj Maqedonisë së Veriut.
Spanja mban topin? Secila skuadër ka filozofinë e vet, por kontrolli i topit nuk është gjithçka, rëndësi ka rezultati në fund. Ne kemi “armët” tona, kemi shpejtësi dhe në kundërsulm mund të shënojmë. Duhet të jemi shumë kompaktë, të mbyllur dhe të bëjmë lojë skuadre. Duhet përqendrim maksimal për 90 minuta, sepse ata kanë lojtarë shumë të fortë.
Lojtarët janë në formë të mirë fizike dhe kjo më bën optimist. Ata po luajnë të gjithë me klubet e tyre. Kemi 5 sulmues dhe të gjitha po luajnë. Nuk e bëj publik formacionin, nuk është korrekte, sepse ende nuk kam folur me djemtë”, – ka thënë mes të tjerash trajneri Reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




