Politike

Seriali “Babale”, faza e dytë me “protagonistë” të rinj

Mentor Kasa - Atëherë kur mendonim se saga e përgjimeve me protagonist Babalen po shkonte drejt fundit, ngjarjet kanë rrjedhur vrullshëm duke hyrë në një tjetër fazë. Mbrëmjen e së martës, deputeti demokrat, Ervin Salianji publikoi një tjetër video-përgjim.

Këtë herë protagonist nuk ishte Albert Veliu, i njohur si “Babalja”, por kunati i tij, Alfred Alizoti, për të cilin prokuroria thotë se ka imituar Agron Xhafajn në audio-përgjimin fillestar që i hapi rrugë kësaj çështjeje.

Salianji e publikoi videon në emisionin “Opinion” dhe që në fillim të saj thotë se autorët e përgjimit janë “të panjohur” edhe për të. Por çfarë thuhet në videon ku shfaqet Alfred Alizoti së bashku me një person tjetër, zëri i të cilit është i modifikuar?

“Ti e di kush ka ardhur të më marrë mua? Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si e ka ai nga Delvina. Erdhi më mori në shtëpi. Më mori në telefon se kishte numrin e telefonit që e lashë në prokurori. Ka ardh një makinë e zezë më ka marrë dhe më ka çuar në prokurori”, deklaron ai.

Alizoti e ka fjalën për kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, që sipas tij i ka shkuar në banesë mbrëmjen e datës 1 qershor. Por jo vetëm kaq, në rrëfim përmendet edhe Taulant Balla. Sipas kunatit të “Babales”, Balla ka qenë duke e pritur në një lokal pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda i shoqëruar nga dy persona.

https://www.youtube.com/watch?v=WjUgabvZQPY
Deputeti Ervin Salianji publikon videon nr.2 te dosjes "Babale"

“Ky Taulanti ishte me dy veta të tjerë përballë me Prokurorinë. Ishte një lokal aty. Kam pirë dhe kafe aty. Filloi të më blinte mendjen. I thashë që nuk kam gisht fare, thjesht e kam pas shok. Kot provokime e gjëra, me kë je, me ne apo me këta. Taulanti më tha hidhu nga ne, troç ma tha. Muhabete siç i kanë këta, do të të çojmë andej do të të jap lekë. Donte të dinte nëse kisha unë gisht tek këto. Unë s’di gjë për këto muhabete i thashë”, thotë Alizoti.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji thotë se kjo video provon që ndaj Alfred Alizotit është ushtruar presion që të deklarojë se ka qenë ai që ka imituar Agron Xhafajn në bisedën me Albert Veliun për trafikimin e një sasie hashashi në drejtim të Italisë.

Risia e video-përgjimit ishte përfshirja e emrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Ky i fundi, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte personi i parë që reagoi pas publikimit të saj.

“Me njëmilion përqind garantoj publikun shqiptar se atë person nuk e kam takuar dhe se nuk ka asnjë shans që ai person, që foli në video, të ketë hypur në makinën time. E ka çuar policia e Fierit te Prokuroria e Krimëve të Rënda. Kjo është e verteta!”, deklaroi ai për gazetën Koha Jonë.

Deklaratën e Veliut e përforcoi zyrtarisht edhe Policia e Shtetit paraditen e së mërkurës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti.

“Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye e pavërtetë. Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka qenë me angazhime të tjera”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Taulant Balla foli nga dera e Gjykatës së Tiranës, ku u paraqit për seancën e parë si akuzues i Lulzim Bashës për shpifje, me vetëdije se akuzat e kundërakuzat po lodhin shqiptarët, por me bindjen se po i shërben politikës.

“Shqiptarët që na ndjekin thonë që këta këtë punë kanë, nuk merren me hallet e njerëzve, por me njëri-tjetrin. Por sot, edhe në procese të ngjashme si ky po u bëjmë një shërbim politikës shqiptare në tërësi për të ndarë shpifësit nga e vërteta”, tha ai.

Padia u dorëzua nga Balla pas akuzave të Partisë Demokratike që pasuan dëshminë e ish-oficerit të stacionit policor të Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu. Ky i fundit, në dëshminë e tij thotë se është kërcënuar me pistoletë tek koka dhe në prani të Taulant Ballës për të mos vazhduar hetimet ndaj Rexhep Rrajas, djalit të deputetit socialist të Krujës, Rrahman Rraja, që akuzohej nga Xhisiela Maloku për dhunë.

https://www.facebook.com/b.taulant/videos/725925174419185/

Deputeti socialist foli me bindje për fitore në këtë betejë gjyqësore me Bashën, aq sa premtoi që paratë e përfituara si dëmshpërblim në procesin civil, do t’i dhurojë për një jetimore. Në fund, ashtu siç mohoi se ka qenë më 21 korrik në stacionin policor të Fushë-Krujës, Taulant Balla mohoi edhe që të jetë takuar me Alfred Alizotin dhe ka besim se kësaj dosjeje do t’i shkojë Prokuroria deri në fund.

“Nuk e kam takuar kurrë. Prokuroria po bën një punë të shkëlqyer në zbardhjen e kësaj çështjeje dhe të vazhdojë hetimin deri në fund edhe për video të tjera”, deklaroi ai.

Më pas, kreu i grupit parlamentar socialist i referohet lajmit të publikuar në media se Ervin Salianji ishte larguar nga emisioni Opinion me shpejtësi në momentin që prokuroria ishte paraqitur për të marrë video-përgjimin e publikuar prej tij.

“Personat që nxjerrin video nuk duhet t’ja fusin vrapit kur prokuroria paraqitet për të marrë provat”, vijoi ai.

Reagimi i Salianjit ishte i menjëhershëm përmes rrjeteve sociale.

“Taulant, unë jo vetëm që nuk iki me vrap, por vij aty ku jeni. Mē thuaj si kryeprokuror që je kur me solli shkresë prokuroria? Si kryeprokuror qe je me thuaj ku te vij se vij ta jap edhe ty provën që e pa i madh e i vogël!”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/salianjiervin/posts/1982344795121320

Pak pas kësaj deklarate të deputetit demokrat, prokurorët janë paraqitur në selinë e Partisë Demokratike për të marrë video-përgjimin në fjalë.

Ndërkohë, në një tjetër studio televizive, por po mbrëmjen e së martës foli edhe Erzen Breçani, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Emri i tij ka dalë në media si i përmendur në dosjen në fjalë.

Duke folur në emisionin “Dritare” në News24, Breçani nuk e mohoi këtë fakt dhe shpjegon se si është përfshirë në këtë ngjarje. Breçani deklaron se Alfred Alizoti i ka thënë se telefonata mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt nuk ishte e vërtetë.

Ish-zv.drejtori i Policise se Shtetit, Erzen Brecani

“Është e vërtetë që jam thirrur nga prokurori i Krimeve të Rënda për këtë ngjarje. Kam marrë një telefonatë para dy- tre muajsh. Më është prezantuar një person si, kunati i Babales. Ai më ka thënë se, telefonata nuk ishte e vërtetë dhe se gjithçka i kishte bërë për azil politik. Jam kunati i Babales”,-tha. ‘Dua të rrëfej diçka, të flasim nga afër.” Më tha: “Dua dhe 4 mijë lekë borxh se, s’kam ku të fle.” E pyeta se: ‘Pse nuk shkon të flesh në shtëpinë tënde në Fier? Ai përmendi edhe azilin politik. Asaj telefonate nuk i kam kushtuar rëndësi. Por kam nisur të mendoj, kur më ka thirrur Prokuroria e Krimeve të Rënda”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë