Shendet

Studimi: Ilaçet e kolesterolit parandalojnë zhvillimin e parkinsonit

Statinat (ilaçet e kolesterolit) nuk parandalojnë vetëm sulmet në zemër dhe goditjet në tru, një studim tregon se ato gjithashtu mund të parandalojnë sëmundjen e Parkinsonit. Të moshuarit që merrnin pilula kundër kolesterolit kishin 16 për qind më pak gjasa për të zhvilluar simptoma treguese të sëmundjes, zbuluan studiuesit. Ekspertët në Universitetin Rush në Çikago besojnë se ilaçet mbrojnë trurin.
Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga dëmtimi i qelizave nervore në tru, i cili shkurton prodhimin e kimikateve të përfshira në rregullimin e lëvizjes. Gati 3,000 njerëz në të 70-at e tyre që nuk kishin sëmundjen u përfshinë në studim, nga të cilët një e treta merrnin medikamentin.
Ekipi i ndoqi pacientët çdo vit për gjashtë vjet për të kontrolluar ndonjë shenjë të parkinsonit. Pjesëmarrësit konsideroheshin se kishin parkinson nëse vuanin nga dy ose më shumë shënues të këtij problemi. Këto përfshinin dridhje, ngurtësi, ecje parkinsoniane (hapa të vegjël lëvizje të ngadalta e me vështirësi).
Sipas rezultateve të studimit të botuar në revistën “Neurology”, rreth 53 për qind e atyre që nuk morën statina nuk zhvilluan simptoma të parkinsonit në fund të studimit.

Studiuesi kryesor Shahram Oveisgharan tha se, kjo mund të shkaktohet pjesërisht nga efekti mbrojtës që statinat mund të kenë në arteriet në tru.
“Rezultatet tona janë emocionuese sepse problemet e lëvizjes tek të rriturit më të moshuar që janë nën ombrellën e parkinsonit janë të zakonshme, shpesh dobësuese dhe përgjithësisht të patrajtueshme”,shtoi ai.
Ekipi tha se nevojiteshin më shumë kërkime për të konfirmuar efektin e statinave, të cilat merren nga miliona njerëz.
Shkencëtarët nuk e dinë se çfarë e shkakton humbjen e qelizave nervore, por shumica e ekspertëve besojnë se është një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë, duke përfshirë ekspozimin ndaj pesticideve dhe kimikateve dhe lëndimet e mëparshme të kokës.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë