Kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj tha për mediat se vendimi i të premtes nga gjyqtari Agron Zhukri për të regjistruar si legjitim kuvendin e 11 dhjetorit, ishte skandaloz.
Alibeaj beri publike dy hapa që do të ndërmarrë PD-ja zyrtare; Së pari kallëzim penal për gjyqtarin me argumentin se ka shpërdoruar detyrën dhe hapi i dyte do të jetë ankimimi në Gjykatën e Apelit.
“Siç e dini ju gjyqtari vetë ka deklaruar njohjet e veta anësinë e vet në këtë proces. Në tejkalim të ligjit ka marr në shqyrtim çështjen. PD ka bërë ankim për regjistrimin e kuvendit të 18 dhjetorit. Është i fundit kuvend që PD ka realizuar. Çështja është në apel bashkë me provat.
Gjyqtari i sotëm nuk ka pasur asnjë dosje. Ka marrë një vendim, pa pasur prova e dosje. Pa pasur palë. Që një vendim të ketë efekt duhet të ishim edhe ne palë. Janë element që për këdo i lind e drejta të paraqesë një kallëzim penal për gjyqtarin” u shpreh Alibeaj.
“Jemi njohur nga mediat me një vendim që ka marrë gjykata e Tiranës nga gjyqtari Zhukri. Në njohuritë e mia dhe të kujtdo se si zhvillohen gjyqet, është vendim në nivelet e skandalit. Gjyqtari vetë ka deklaruar njohjet e veta me Berishën”, shtoi ai.
Alibeaj shpjegoi disa herë për mediat se vendimi i gjykatës bëhet i ekzekutueshëm vetëm kur vendos gjykata e Apelit.
Ai sqaroi se PD-ja ka depozituar ankimin në gjykatë dhe vetëm kur të vendosë Apeli vendimi do të jetë i ekzekutueshëm që do të thotë se organet aktuale të PD-së zyrtare që janë shkarkuar më kuvendin e 11 dhjetorit mbeten ende, sa kohe që nuk ka folur Apeli. Madje edhe selia.
“Vendimi është i vlefshëm dhe i zbatueshëm vetëm kur shqyrtohet në instancë finale që është në Apel. Ky vendim i sotëm me çfarëdolloj përmbajtje bëhet i ekzekutueshëm nëse nuk ankimohet ose kur ankimohet dhe gjykata e Apelit e shqyrton. Të presim gjykatën e Apelit. Kur gjykata flet të tjerët heshtin.
E vërtetë është një gjë që ne kërkuam të bëjmë palë në proces, por nuk na bënë ndaj vendimi është nul.
E drejta e ankimit është një e dejtë Kushtetuese, çdokush i prekur në një proces ka të drejtë të ankimojë.
Sot po flasim për një çështje juridike, bashkimi është një çështje politike. Zoti Basha ka bërë hapin e vetë është tërhequr, ndërkohë që nga pala tjetër duhet të bëhet e njëjta lëvizje simetrike në mënyrë që demokratët të bashkohen”
Por përfaqësuesi ligjor i Grupit të Rithemelimit të PD-së, Ivi Kaso sqaroi në anën tjetër se ky vendim nuk mund të ankimohet nga pala tjetër.
Mes të tjerash ai tha se Kuvendi i 18 dhjetorit i thirrur nga Basha nuk njihet, pasi ishte një ndër kërkesat e miratuara sot gjykata.
“Nëse do keni kuriozitetin që të shihni vendimet e 11 dhjetorit, një pikë të rëndësishme të tij ka anulimin e thirrjes së 18 dhjetorit. I thirrur nga një kryesi e palogjikshme. Ky vendim është regjistruar. Praktikisht në regjistër është anuluar Kuvendi i 18 dhjetorit. Ligjërisht nuk ka një Kuvend të thirrur. Vendimi mund të ankimojë vetëm nga ne. Vendimi është i ekzekutueshëm. S’kemi pse bëjmë ankime kot”, tha ai.
Në mbledhjen e 11 Dhjetorit në ”Air Albania”, delegatët e thirrur nga Berisha votuan pro shkarkimit të kryetarit të PD-së së asaj kohe, Lulzim Basha, nënkryetarëve Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj, sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi si dhe kryesisë së partisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




