Shendet

Tuberkulozi në Shqipëri/ Më të prekur janë moshat aktive, mes tyre ka edhe 15-vjeçarë

Kushtet e këqija të jetesës dhe imuniteti i dobët janë një kombinim i rrezikshëm që mund të nxisë sëmundjen e tuberkulozit. Tuberkulozi është një sëmundje e shkaktuar nga mikrobi “Mycobacterium tuberculosis” i cili prek mushkëritë. Të dhënat tregojnë se në vendin tonë gjatë vitit 2021 janë shënuar rreth 270 raste me tuberkuloz. Këtë të enjte, në Ditën e Tuberkulozit, menaxherja Programit Kombëtar të Tuberkulozit Donika Bardhi i shpjegoi Gazetasi.al se incidenca e kësaj sëmundje është 9.5 për 100.000 banorë.

“Grup moshat me të prekura janë moshat aktive nga 15 – 54 vjeç, ndërsa suksesi i mjekimit të tuberkulozit është në shifra mbi 88%”, tha Bardhi. Sipas saj, në vitin 2019 kemi pas 440 raste, në 2020 kemi pasur 240 raste. Mjekja shprehet se pandemia shënoi një ulje të numrit të rasteve por krahasuar me vitin 2020, në 2021 ka një rritje të lehtë.

Fatmirësisht tuberkulozi është një sëmundje që trajtohet dhe që shërohet dhe në format aktive të saj kjo sëmundje kurohet për një periudhe 6-mujore me një kombinim të 4 medikamenteve antimikrokobiale të cilat jepen nën udhëzimin, mbikëqyrjen dhe mbështetjen e mjekut apo të personelit shëndetësor.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tuberkulozi është në dy gjendje, pozitiv (infektues për të tjerët) dhe negativ. Ndërsa, simptomat më të shpeshta të tuberkulozit janë kollë dhe pështymë me gjak, dhimbje kraharori, dobësi, humbje në peshë, temperaturë dhe djersitje natën.

Mënyrat për të diagnostikuar sëmundjen janë me anë të radiografisë dhe përdorimi i testit të tuberkulozit, i cili jo vetëm që përcakton gjendjen sëmundjen, por edhe rezistencën ndaj medikamentit kryesor të tuberkulozit siç, është rafampicina.
Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë treguar se sot më shumë se 100 vende në botë e përdorin këtë test, në mënyrë që të kenë një përcaktim të saktë të gjendjes së pacientit.
Ndërkaq, ekspertët e shëndetësisë kanë shpjeguar se mënyra e vetme për të parandaluar këtë sëmundje janë kushtet e jetesës, të cilat duhet të jenë cilësore, banesa pa lagështi si dhe ushqyerja e shëndetshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë