Kombetarja

Konfirmohet mungesa e Abrashit, Reja kërkon kreun e grupit në Ligën e Kombeve

Gazeta Si – Në ditën e tretë të përgatitjeve për miqësoren e së shtunës me Spanjën, trajneri Edi Reja ka rritur pak ngarkesën për lojtarët që ka në dispozicion. Italiani është marrë gjithashtu me anën taktike dhe ka bërë një lojë mes dy grupeve.

Amir Abrashi nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për shkak dëmtimi, duke e çuar kështu në 3 numrin e mungesave, pas Nedim Bajramit dhe Enea Mihajt, edhe ata për të njëjtën arsye. Në kampin kuqezi ka një atmosferë mjaft pozitive para sfidës së vështirë me Spanjën.

Trajneri Reja, gjatë një interviste për “Supersport” ka theksuar se kërkon të shohë gjendjen e çdo lojtari në këto dy miqësore të radhës, ndërsa ka shpallur si objektiv vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve.

“Për të ardhmen, në Ligën e Kombeve do të më pëlqente të fitonim grupin. Duket deklaratë mendjemadhe, por nuk është kështu. Skuadra beson, i shoh lojtarët që besojnë te puna që bëjmë dhe janë të bindur se janë të fortë. Nuk jemi të fortë sa Spanja, por kundër Islandës dhe të tjerave në nivelin tonë, janë ndeshje që duhen fituar.

Duhet të krijojmë mentalitetin e duhur, futbollistët të mendojmë si kolektiv. Nëse përmirësojmë këtë aspekt dhe përqafojmë këtë filozofi, çdo objektiv është i mundshëm”, – është shprehur trajneri Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë