Kombetarja

Video/ Vrioni dhe Asllani mes emocionesh: Ta vëmë Spanjën në vështirësi!

Gazeta Si – Xhakomo Vrioni dhe Kristjan Asllani ishin dy lojtarët që dolën sot në në konferencë shtypi, në prag të miqësores me Spanjën, që luhet më 26 mars në Barcelonë. Ata nuk i kanë fshehur emocionet e grumbullimit me Kombëtaren dhe kanë theksuar se janë gati për të luajtur.

Mesfushori Asllani, mes të tjerash theksoi: “Jam shumë i lumtur, Kombëtaren e shikoja vetëm në televizor dhe të jem këtu është një kënaqësi shumë e madhe. Shpresojmë të bëjmë mirë në këto dy ndeshje. Nuk e besoja, por erdhi kjo ftesë. Nuk na tremb Spanja, por është shumë bukur të luash ndaj këtyre skuadrave. Këto tre ditë kanë qenë ditë të bukura. Shpresoj që Shqipëria ta bëjë atë hapin cilësor.

Kampionati italian është shumë i vështirë dhe kur vjen këtu është pak më lehtë. Nuk e di më kë ngjaj, këtë gjë mund ta thoni ju që jeni jashtë. Nuk kam një idhull, jam i përqendruar vetëm te stërvitja, te ndeshja. Shpresoj të na vijnë sa më shumë tifozë. Nuk i kam shumë qejf zërat e merkatos. Mendoj për Empolin, pasi kam 13 vite që luaj me këtë skuadër”.

Sulmuesi Vrioni u shpreh: “Kur kombëtarja të thërret është gjë shumë e bukur, sepse përfaqëson popullin tënd, familjen, përfaqëson gjithë Shqipërinë. Skuadra është në nivel të lartë, kemi shumë lojtarë të mirë. Është një gjë shumë e bukur të jem këtu, është normale që konkurrenca është kudo.

Objektivi i të gjithë lojtarëve është të bëhen pjesë e Kombëtares. Është ëndrra ime të gjej golin e parë me Kombëtaren dhe shpresoj t’ia arrij. Te Juventusi mbaj kontakte me disa lojtarë, sidomos me Moratën, me të cilin do të luajmë të shtunën. I kam thënë vetëm të më ruajë fanellën, pasi është një djalë shumë i mirë dhe më ka ndihmuar shumë te Juventusi. Për mua është një nga sulmuesit më të fortë në botë.

Ne do të provojmë ta vëmë në vështirësi Spanjë, është normale. Për ne është një mundësi të shohim se në çfarë niveli jemi, do të japim maksimumin që të marrim një rezultat pozitiv për tifozët që do vijnë në stadium”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë