Gazeta Si – Jo vetëm Milani dhe Interi në Itali, edhe nga Anglia ka interes për Kristjan Asllanin, yllin e Kombëtares shqiptare që po luan titullar në Serinë A që në moshën 19 vjeç. Dhe ky interes vjen nga një klub i madh si Mançester Siti. Me sa duket, Guardiola ka parë diçka të veçantë tek Asllani.
Interi e sheh si një zëvendësues të mundshëm të Marselo Brozoviç mesfushorin kuqezi, që pritet të debutojë në miqësoren ndaj Spanjës. Ai ka karakteristikat e një lojtari që të gjtihë e lakmojnë: i fortë fizikisht, pozicional dhe i aftë të ndihmojë skuadrën në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm. Jo më kot Andreacoli tek Empoli i beson çdo ndeshje nga minuta e parë.

Personaliteti që Asllani ka treguar në fushë në moshë kaq të re ka bërë që emisarët e Milanit dhe Interit ta ndjekin me kujdes, tani edhe ata të Mançester Sitit. Shumë shpejt Shqipëria do të ketë një tjetër lojtar në një klub të madh europian, një lojtar që me siguri do ta ndihmojë të ngjitet në një tjetër nivel, bashkë me Brojën e të tjerë.
Asllani është vërtet një lojtar shumë premtues, një yll që sapo ka lindur dhe që lakmohet nga emrat më të mëdhenj të futbollit. Në verë ai pritet të lërë Empolin, që po fërkon duart, sepse do të mbushë arkat, për të veshur një tjetër fanellë më të rëndë. Edhe Reja mund të fërkojë duart, sepse ka në skuadër një talent të madh, të cilin ka vendosur të hedhë menjëherë në aksion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




