Gazeta Si - Gruaja shtatzënë, e cila fotografua duke u evakuuar nga një spital për fëmijë i bombarduar në qytetin ukrainas të Mariupol, vdiq së bashku me foshnjën e saj.
Kështu raportojnë mediat ndërkombëtare. Gruaja ishte dërguar me urgjencë në një spital tjetër pas sulmit rus javën e kaluar dhe u fotografua, e shtrirë në një barelë, duke mbajtur barkun e saj të përgjakur në duar.
Fotoja bëri xhiron e botës në pak minuta. Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë, mjekët nuk kanë mundur të shpëtojnë as atë dhe as foshnjën.
Ndërsa mjekët u përpoqën ta shpëtonin, teksa kuptoi se po humbiste fëmijën e saj thuhet se ajo thërriti: “Më vrisni tani!”
“Foshnja u lind me prerje cezariane, por nuk tregoi asnjë shenjë jete. Të dy vdiqën,” tha kirurgu.
Pas bombardimeve, Rusia mohoi se kishte nisur sulme në spitalin e fëmijëve në qytetin port të Mariupolit. Moska pretendoi se ndërtesa ishte pushtuar nga ekstremistët ukrainas dhe se asnjë pacient apo mjek nuk kishte mbetur brenda. Këto raportime u hodhën poshtë nga autoritetet ukrainase.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.