Treg

Në kurthin e panikut, në dyqanet e Tiranës po shitet me racione

Nga Megi Iskurti-Çmimet e larta të ushqimeve, rezervat ushqimore dhe pakot e miellit ishin kryefjala e një vale diskutimesh  mes shitëses dhe dy klientëve në marketin “Diambe”, aty ku ishte afishuar një njoftim i cili u diktonte atyre vetëm një numër të përcaktuar të produkteve bazë të shportës që ata mund të blinin.

Në listën e ushqimeve të vendosura njëra poshtë tjetrës ishin mielli, makaronat,orizi, sheqeri dhe vaji, praktikisht produktet më të domosdoshme.

 Klientëve që futeshin në market dhe përballeshin me njoftimin, në fillim u lexohej pikëpyetja në fytyrë. Mandej mes zërave të tyre dëgjohej nëpër dhëmbë i njëjti togfjalësh: krizë dhe luftë.

Shitësja, e bezdisur si dukej nga pyetjet e të gjithë klientëve që kishin bërë të njëjtin reagim që nga momenti i afishimit të njoftimit, u përgjigj gati mekanikisht: “Siç e shihni në njoftim, nuk mund të blini më shumë se produktet e specifikuara. Është kohë krize dhe secili duhet të blejë një numër të caktuar që qytetarët të mos dynden por edhe të teprojë për të tjerë që duan të blejnë”, tha dhe nxitoi të kalonte në kasë disa produkte ushqimore mes të cilave nuk mungonte as vaji dhe as mielli.

Njëra prej tyre e cila sapo kishte hyrë në market iu drejtua sërish asaj duke e pyetur se përse duhej të vendosnin një njoftim të tillë dhe kush e ndalonte të blinte sa të donte për aq kohë sa ajo do të paguante për ato produkte.

Reagimi nga ana tjetër ishte përsëdyti mekanik: “Unë jam vetëm një shitëse që kaloj produktet në kasë. Nuk marr vendime”.

Nga diskutimet e klientëve kuptohej që kriza e Ukrainës ka hyrë tashmë në xhepat e tyre. Ankimet për çmimet e larta nuk mungonin as kësaj here.

Qytetare në supermarket duke shikuar për produkte

“Me këto njoftime po na ngjallni më keq panik. As në fillimet e pandemisë nuk ishte gjendja kështu. Nuk mbaj mend të na kushtëzonin në numrin e produkteve që do të blinim.

Për mendimin tim, një letër e tillë të nxit më shumë për të bërë blerje e për t’u dyndur se sa për të mos u dyndur. I bën njerëzit të mendojnë që mbase kriza është më e thellë nga se duket”, tha për Gazetasi.al një e moshuar tek po kërkonte produktet mes rafteve.

Situatat përsërisnin njëra-tjetrën, nga ai market, në një tjetër.

Një njoftim gati gati i ngjashëm ishte vendosur edhe në kasën fiskale të një tjetri. Dyqan i vogël lagjeje.

Shitësi rrëfen për Gazetasi.al se vetë situata në tregje i ka konfuzuar këto kohë.

“Nuk e dimë a ka apo nuk ka rezerva. Një herë na thonë që ka gjendje, një herë që nuk ka. Çmimi i miellit sa vjen dhe rritet. Ne pamë që edhe markete të tjera po vendosin njoftime të tilla”, tha ai duke shtuar se nëse qytetarët blejnë më shumë pako mielli, e blejnë më lirë sepse e marrin me shumicë ndërsa nëse blejnë më pak në dyqanet e lagjeve, e blejnë me çmimin aktual dhe shitësit përgjithësisht dalin më të fituar.

Megjithatë, ai sërish e orientonte bisedën drejt faktit se është e trembur për situatën e tregjeve në Shqipëri, sidomos atë të tregut të miellit duke qenë se vendi ynë importon nga Rusia një sasi të konsiderueshme.

Nga një vëzhgim që bëri Gazetasi.al në pika të tjera supermarketesh nëpër Tiranë nuk pa ende njoftime të tilla në masë por kishte dhe prej tyre që nuk e përjashtonin si mundësi.

“Nëse e bëjnë dy supermarkete, fillojnë dhe veprojnë njëjtë edhe të tjerët. Ne për momentin nuk kemi bërë ende njoftime të tilla por situata vështirë duket.

Njerëzit vetëm këto kërkesa kanë. Raftet e miellit, makaronave dhe vajit zbrazen në moment. Ndaj prandaj mendoj që po detyrohen supermarketet të marrin masa të tilla. Nëse përhapet, besoj që do e vendosin edhe tek ne një njoftim të tillë”, tha për Gazetasi.al një punëtore që po stivonte ushqimet në disa rafte, nga “Shans Market”.

Gazetasi.al kontaktoi edhe me Çlirim Xhemollarin, drejtorin e rrjetit të “Alb Market” i cili tha se për momentin nuk e sheh gjendjen aq kritike sa të vendosë një njoftim të tillë.

Pushtimi rus i Ukrainës e ka prekur ekonominë shqiptare në shumë fronte por kategoria e ushqimeve është ajo ku ndihet më tepër vala e rritjes së çmimeve por dhe vështirësitë në zinxhirin e  furnzimit.

Rritja atipike që është ndjerë këto ditë thuajse në të gjithë produktet, ka ngjallur shqetësim dhe revoltë tek një masë e madhe qytetarësh.

Rritja e çmimeve për të gjithë artikujt, por sidomos për artikujt e domosdoshëm si vaji dhe buka, rrezikon të çojë në varfëri gati 37% të popullsisë në vendin tonë.

Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare tregoi se në vitin 2019, mbi 37% e individëve në Shqipëri nuk e përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit. Gjithashtu treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2019 është 23.0%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë