Analize

Dyshime se importuesit e karburanteve kanë shkelur ligjin për të mbajtur rezerva tremujore në treg

Për sa kohë ligji shqiptar i detyron kompanitë e importit të karburanteve të kenë rezerva në tregun e brendshëm në sasi sa 90 ditët e kosumit të shitjeve, çdo shqiptar sot ka të drejtë të dyshojë se rritja e çmimit nuk do të ishte kaq e shpejtë dhe kaq e lartë pavarësisht luhatjeve në tregun ndërkombëtar, pasi ky ligj pikërisht këto rreziqe duhet të shmangë.

Mirëpo fakti që kjo ndodhi dhe vetëm brenda një jave çmimi i karburanteve në pompë u rrit me 50 lekë për litër atëherë e para pyejte që kërkon përgjigje është: A kishin kompanitë shqiptare rezerva tremujore?

LEXO EDHE:
Spekulimi fle në Ministrinë e Financave, spekulantët në pikat e karburantit

Të dhënat zyrtare nga doganat të cilat i kërkoi Gazeta ‘Si” tregojnë se importi i naftës për dy muajt e parë të vitit, janar –shkurt, ishte vetëm 5500 ton.

Konsumi mesatar vjetor në Shqipëri i karburanteve është rreth 640 mijë tonë ose mesatarisht 54 mijë tonë në muaj.

Vlera e importuar siç mund të llogaritet lehtë  është vetëm 1/10 e sasisë së konsumit mujor.

Pra kompanitë në këto dy muaj kanë sjellë në treg vetëm 5 për qind të nevojës për konsum gjatë kesaj periudhe.

Në rastin më të mirë ato mund të kenë përdorur rezervën e sigurisë të cilat mund të kenë qenë tejet të mbushura aq shumë sa të kishin rezerva më shumë se tre muaj.

Por Gazeta ‘Si” mësoi se edhe gjatë vitit të kaluar deri në muajin shtator kompanitë e naftës kanë importuar rreth 122 mijë tonë, ose vetëm 1/5 e konsumit mesatar vjetor.

Ish zvkryeministri socialist Erion Braçe në një postim në rrjetet sociale tregoi se “referuar faturave, anija e fundit me naftë ka hyrë në Porto Romano me 27400 tonç naftë në Shkurt, jo në fund të Shkurtit; është 4.5% e sasisë së naftës që konsumohet në vit!”.

Ditën që kjo anije ka hyrë, në bursë, çmimi ishte 96 USD për fuçi; sot është mbi 110 USD për fuçi!

Ky gep kaq i madh, por shumë fitimprurës duhet të dalë në dritë”.

Edhe burime të tjera për Gazetën “Si”  thanë se depozita e karburanteve nuk kanë qenë plot, por afër fundit, në mos bosh.

Të paktën nga ky grup të dhënash nuk rezulton në asnjë mënyrë që tregtarët e karburanteve të kenë pasur mundësi për të garantuar rezervën e detyruar me ligj.

Megjithatë këto mbeten të dhëna jo të plota. Qeveria ka institucione që në zbatim të ligjit duhet të sigurojnë që ato rezerva të detyruara të jenë në depozita. Nëse nuk janë, atëherë kompanitë kanë shkelur ligjin. Bashkë me të edhe institucionet përkatëse. Kjo nuk është një shkelje e ligjit dosido, sikur të protestosh në rrugë pa marrë leje nga policia, por një shkelje e ligjit që kërcënon sigurinë publike dhe përgjegjësitë dhe ndëshkimet janë disa fish.

Ndaj, para se qeveria të kontrollojë zinxhirin e marzhit të fitimit përmes bordit të ri të emergjencës, të hetojë përmes agjencive ekzistuese qeveritare dhe nëse kompanitë kanë pasur rezervat e detyruara me ligj dhe sa rezulton çmimi mesatar i një toni në këto depozita.

Të dhënat e deritanishme nuk e tregojnë se ky detyrim ligjor, i cili është vendosur enkas për të mos krijuar çmime të larta në treg dhe për të garantuar sigurinë kombëtare e publike,  është përmbushur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë