Shendet

Raporti i OSBE: Korrupsioni i përhapur gjerësisht në shëndetësi

Korrupsioni është i përhapur gjerësisht në sistemin e shëndetësisë dhe ai që quhet ‘ryshfeti i vogël’ është shndërruar në kulturë për shkak të pjesës së madhe të pagesave informale, që shpesh kërkohen drejtpërdrejt, ose tërthorazi nga mjekët për të ofruar shërbimin shëndetësor.

Këto janë gjetjet e hedhura në një raport paraprak të financuar nga OSBE me temë “Ndikimi gjinor dhe korrupsioni në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit të lartë në Shqipëri” me autor Deniz Devrim.

“Gjatë intervistave dhe analizave të kryera kuptohet që nuk ka asnjë barrierë institucionale kundër korrupsionit të vogël në sistemin e shëndetësisë. Perceptimi i përgjithshëm flet për nivele të larta korrupsioni dhe një pjesë domethënëse e popullsisë shqiptare e ndjen veten të detyruar për të dhënë ryshfet për të pasur akses në shërbimet publike, që duhet të jenë pa pagesë, ose që janë të përfshira te taksat”, thotë raporti.

Autori ka gjetur gjithashtu se sistemi i shëndetësisë ka mangësi serioze në kapacitete, qoftë për burime njerëzore, qoftë logjistike.

“Sistemi shëndetësor shqiptar vuan seriozisht nga mungesa e kapaciteve, që e bën një fushë fertile për pagesat informale dhe korrupsionin në këmbim të ofrimit të shërbimeve dhe që nxit gjithashtu gatishmërinë e qytetarëve për të paguar nën dorë për të siguruar shërbimin që kanë nevojë”, thotë studimi i financuar nga OSBE.

Raporti kërkon që qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore t’i japin fund apatisë dhe ta luftojnë këtë formë korrupsioni.

“Pagesat informale për të pasur akses te shërbimet publike përfaqësojnë një pengesë të madhe ekonomike, sidomos për të varfërit”, thuhet në raport.

Gjetja tjetër është se vetë qytetarët nuk e denoncojnë fenimenin, pavarësisht se ai është i përhapur në masë.

“Nga intervistat e thelluara dhe vëzhgimi i mekanizmave të raportimit (të korrupsionit), tregohet se pavarësisht përhapjes së madhe të pagesave informale, sidomos nëpër qendrat shëndetësore, mekanizmat ekzistues shfrytëzohen rrallë nga qytetarët për të denoncuar për shkak të mungesës së besimit te strukturat e shtetit dhe perceptimit të përgjithshëm se denoncimi nuk do të bënte asnjë ndryshim”, theksohet në raport.

Përkeqësimi i ofrimit të shërbimeve, sipas raportit të financuar nga OSBE është i ndikuar edhe nga vendimmarrje abuzive të autoriteteve në nivel qendror e lokal, nën nxitjen dhe ndikimin e individëve, kompanive dhe grupeve të interesit.

“Në nivelin e vendimmarrjes, influenca e individëve, kompanive dhe grupeve të interesit mund të çojë në korrupsion administrativ, korrupsion politik e deri në kapjen e shtetit. Vendimet që merren mund të jenë në përputhje me interesat e elitës së fuqishme, me aktorët privatë që po përpoqen të ndikojnë në hartimin e ligjeve dhe rregullave me qëllim përfitimin e fondeve për një grup të ngushtë njerëzish në kurriz të pjesës tjetër të shoqërisë”, vijojnë gjetjet e raportit.

Në këtë pjesë, raporti cek tenderat dhe PPP-të.

“Procesi i prokurimeve përballet me devijim të burimeve dhe ofruesit privatë të shërbimeve korruptojnë zyrtarët e tenderave për të siguruar kontrata. Zyrtarët publikë mund të favorizojnë miq, të afërm, ose kompanitë e tyre për të siguruar kontrata nga Qeveria”, shton raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë