Gazeta Si - Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri u dënua me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi ulje të dënimit me 3.4 vite.
Gjykata ka publikuar vendimin e argumentuar, duke i hapur rrugën për rekurs Tahirit në Gjykatën e Lartë, ashtu siç u paralajmërua nga avokati i tij, Maks Haxhia.
Në një shpjegim të gjatë thuajse 280 faqe, gjykata sqaron se pse u vendos që Tahiri të dënohet me burg për shpërdorim detyre.
Nga ana tjetër, Gjykata arsyeton se përgjimet e personave e grupit kriminal Habilaj, që flasin për Saimir Tahirin, janë prova, pasi bashkëbisedimet e tyre janë të sinqerta, duke parë se nuk kanë dijeni që ata janë duke ën përgjim.
Në vendimin e zbardhur të gjykatës, del se nuk është i vërtetë konkluzioni i prokurorit se grupi kriminal “Habilaj” e ka nisur aktivitetin e paligjshëm kur Saimir Tahiri u bë ministër.
Ky grup e kishte nisur më herët këtë aktivitet, por përfshirja e Tahirit si pjesë e grupit, u krijoi atyre lehtësi në trafikim. Po ashtu, në vendimin e gjykatës, thuhet se familjarët e ish-ministrit kanë pasur kontakte me grupin.
Togat e zeza theksojnë se një sukses i tillë kriminal nuk mundet të realizohet veçse falë një imuniteti të tillë nga veprimtaria shtetërore që vetëm një funksionar kaq i lartë kushtetues dhe shtetëror mundet ta ofrojë, sikurse është Ministri i Punëve të Brendshme.
Sipas gjykatës, automjeti i Tahirit u përdor për dy vite nga grupi kriminal dhe me mosndryshim pronësie, “duke favorizuar me ndërgjegje anëtarët e grupit”.
“Provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm, se grupi kriminal i ka blerë ish-ministrit Tahiri dhurata, por nuk rezulton e provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Tahiri, i mori këto dhurata si shpërblim”, - thuhet në vendimin e arsyetuar të GJKKO-së.
Sajmir Tahiri u dënua vetëm me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, duke i shpëtuar akuzave “korrupsion i zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bshkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilajn dhe Artan Habilajn dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.
Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj nga Vlora, të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi këtë kërkesë.
SPAK kërkoi 12 vite burg, por GJKKO vendosi ta dënojë me 5 vite, që falë gjykimit të shkurtuar u ul në 3.4 vjet. Saimir Tahiri është duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.