Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik, ekspertët këshilluan vaksinimin e të gjithë fëmijëve +12 vjeç dhe jo vetëm të atyre me probleme të imuniteti siç ishte më parë.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini shpjegoi se javët e fundit vendi ka pasur një incidencë më të ulët të rasteve dhe bashkë me to, është ulur edhe grup mosha më e prekur nga Covid-19. Sipas saj po shihen më shumë raste tek fëmijët. Ndërsa Shefja e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, Gjeorgjina Kule, theksoi se javën e fundit, është parë një ulje e numrit të rasteve, por infektimi i fëmijëve pavarësisht në dukje i lehtë është me pasoja. Ekspertët, shpjeguan se pikërisht për këtë fakt fëmijët duhet të vaksinohen sepse tashmë rreziku nga varanti i ri Omicron është më i drejtuar nga ata.

Mjeku epidemiolog në ISHP, Alban Ylli, i shpjegoi Gazetasi.al se fëmijët e kalojnë me lehtë infeksionin Sars-Cov-2, por mund të vuajnë pasoja të gjendjes së quajtur post-Covid, njëjtë si të rriturit. Lidhur me faktin se sa fëmijë ka në vendin tonë që kanë përjetuar gjendjen post-Covid, Gazetasi.al ka pyetur disa herë në institucionet shëndetësore, por nuk ka marrë një përgjigje. Deri më tani ne nuk kemi asnjë statistike sa i përket kësaj çështje.
Si është situata në vende të tjera?
Sipas një raporti nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, normat e pranimit në spital midis fëmijëve dhe adoleshentëve nën moshën 17 vjeç u rritën me shpejtësi në fund të dhjetorit 2021, pas variantit. Kjo ishte veçanërisht e dukshme tek fëmijët e moshës 0-4 vjeç, të cilët nuk ishin ende të përshtatshëm për vaksinim. Gjetje të ngjashme janë raportuar në Mbretërinë e Bashkuar, me raporte në fillim të shkurtit 2022, duke vënë në dukje se ka pasur një rritje të përqindjes së fëmijëve të shtruar në spital me Covid-19 gjatë valës Omicron, veçanërisht atyre nën moshën një vjeç.
Ndërsa shumica dërrmuese e fëmijëve shërohen shpejt, specialistët ndërkombëtarë janë ende të shqetësuar për shenjat e hershme që tregojnë se shifrat e post-Covid janë në rritje.

“Aktualisht po shohim një rritje të numrit të fëmijëve që diagnostikohen me gjendje post-Covid.Në spitalin tonë për shembull, numri i fëmijëve dhe adoleshentëve që u diagnostikuan me një gjendje post-Covid këtë muaj [janar] është tashmë më shumë se tre herë më i lartë se ai që përjetuam në muajt e verës. Vende të tjera po shohin tendenca të ngjashme”, ka thënën Carlos Oliveira, një pediatër që drejton programin e kujdesit pas Covid në Spitalin e Fëmijëve Yale New Haven, në Connecticut, SHBA.
Kjo mbështetet nga të dhënat më të fundit nga Zyra e Statistikave Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, e cila zbuloi se numri i fëmijëve nën 16 vjeç me gjendjen post-Covid u rrit nga 49,000 në dhjetor 2021, në 117,000 në janar 2022. Sipas ekspertëve simptomat më të zakonshme tek fëmijët si humbja e përqendrimit, dhimbja e kokës dhe vështirësia në frymëmarrje mund të mbeten për një kohë të gjatë tek ata, duke nxitur dhe probleme të tjera shëndetësore. Ata kanë shpjeguar se kjo e bën edhe më të rëndësishme vaksinimin.
Për t’u marrë me këtë fluks në rritje të vazhdueshme të pacientëve, Mbretëria e Bashkuar tani ka krijuar 15 qendra pediatrike të specializuara të krijuara për të ofruar kujdes pas Covid-it, ndërsa SHBA dhe shumë vende të tjera po bëjnë investime të ngjashme.
Ministria izraelite e Shëndetësisë gjithashtu ka publikoi një sondazh që tregon se 11.2% e fëmijëve raportuan se e kishin kaluar gjendjen post-Covid ndërsa 4.6% e tyre vazhduan të përjetonin simptoma gjashtë muaj më vonë. Shumë shkencëtarë mendojnë se ekziston një nevojë e vazhdueshme për studime më rigoroze për të përcaktuar me saktësi rrezikun e vërtetë të post-Covid, veçanërisht pas valës Omicron.
*Shifrat e SHBA, Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar janë marrë nga BBC.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje