Politike

“Babalja”, mes azilit në Kosovë dhe arrestit me burg në Shqipëri

Agron Xhafaj nuk ka komunikuar me Albert Veliun për trafik hashashi në drejtim të Italisë. Në këtë përfundim ka arritur Prokuroria, e cila pasi ka marrë përgjigjen e ekspertizës për bisedën e publikuar pesë muaj më parë nga Partia Demokratike, ka marrë të pandehur tre persona.

Në video-përgjimin që rezultoi i rremë, sipas ekspertizës së një laboratori anglez, Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj implikohej në pazare droge. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzë për kallëzim të rremë për 3 persona, Albert Veliun, shtetasin Fredi Alizoti, i cili nga hetimet rezulton se ka imituar në bisedat telefonike Agron Xhafajn, si dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Për “Babalen” dhe imituesin Alizoti, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg, që është miratuar nga gjykata, ndërsa për gazetarin Olldashi është kërkuar masa e detyrimit të paraqitjes.

Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet ta shpallë fillimisht në kërkim kombëtar dhe më pas do të bëhet shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar. Pas këtij moment pritet të fillojnë procedurat për ekstradimin e tij. Këto procedura, sipas të njëjtave burime, nuk do të thotë që autoritetet kosovare të mos ta mbajnë nën vëzhgim Albert Veliun, pasi ndaj tij është lëshuar një fletë-arresti nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ky fakt i është bërë i njohur edhe Prishtinës.

Gjithashtu, kjo çështje ku janë tre persona të akuzuar, Albert Veliu, imituesi Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi pritet t’i kalojë për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, pasi ajo e Krimeve të Rënda nuk e ka në juridiksionin e saj hetimin e veprës penale të kallzimit të rremë.

Albert Veliu aktualisht ndodhet në Kosovë, ku u ndalua për kalim të paligjshëm të kufirit dhe dyshohet se destinacioni i tij ishte një vend perëndimor, për të kërkuar azil. Megjithatë, menjëherë pas arrestimit në Kosovë, në fund të muajit maj, Babalja ka aplikuar për azil.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës tha se Veliu ka kërkuar azil me motivin se në Shqipëri atij i kërcënohet jeta. Autoritetet kosovare thanë se për këtë çështje do të konsultohen edhe me autoritetet e Shqipërisë para çdo vendimi, ndërsa theksuan se do të respektohen të gjitha procedurat për azil.

Tani, me hetimet për audiopërgjimin e futura në një fazë tjetër, “Babalja” nga denoncues e gjen veten në të pandehur dhe drejt ekstradimit në Shqipëri për t’u përballur me akuzën e kallëzimit të rremë.

Rezultati i hetimit të Prokurorisë u interpretua ndryshe nga kampet politike. Lulzim Basha thotë se e priste këtë rezultat të hetimit.

“Kush priste diçka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa-Prela është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Për Bashën, ky vendim është rënie e shtetit dhe si zgjidhjesheh vetëm një rrugë.

“Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet”, deklaron ai.

Edi Rama nga ana tjetër e mirëpriti rezultatin e hetimit dhe shpreson që prokuroria t’i shkojë deri në fund kësaj dosjeje.

“Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi,jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë! Pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar,qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund”, tha ai.

Një përgjigje i ktheu edhe Lulzim Bashës, të cilin e paralajmëroi se e hëna do të vijë me të tjera surpriza.

“Qetësohu Lulëzim!Mos bëj nevrikun kot xhan se s’ta ka fajin askush që e bëre Shqupin Kinostudio.Tani fli deri pasnesër kur të kem ca të reja për ty e për tërë lehaqeniet e klubeve politike e mediatike, që siç dhunuan 10 ditë rresht një vajzë dhunojnë përditë publikun shqiptar”, shkruan Kryeministri.

Audio-përgjimi dhe intervista e Astrit Veliut

Në mes të muajit maj, me në krah Ervin Salianjin, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhin, Lulzim Basha publikonte një audio-përgjim, në të cilin shfaqej një person, që më vonë u pagëzua me emrin “Dëshmitari X”, deri kur iu zbulua identiteti si Albert Veliu, njohur në Vlorë edhe me emrin Babale.

Në përgjim, Albert Veliu pretendonde se kishte biseduar me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj për t’i “rregulluar një rrugë hashash për në Itali”, pasi ishte në gjendje të vështirë financiare.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1884566204927885/

Veliu vetë rezulonte një person me precedentë penalë dhe i dënuar nga drejtësia italiane dhe gjatë një interviste me gazetarin Jetmir Olldashi deklaronte se kishte qenë pjesë e grupit kriminal të Agron Xhafajt matanë Adriatikut.

“Punonim bashkë. Nuk më solli asnjë paketë cigare si shok, për aq vjet që njiheshim bashkë. Kur dola nga burgu më ofroi një punë për djalin, kamarier. I kërkova të më bënte një nder, për të hedhur barishte në Itali, hashash. E vura në provë sa korrekt qe për mua si Albert. Nuk e bëra rrugën, por e vërtetova. Në momentin që erdhi koha për t’u bërë rruga, nuk e bëra rrugën se kam bërë 7 vjet në Itali. Vetëm e vura në provë për ta zhveshur, se cili është Agron Xhafaj. Vajta te ai se kur isha në burg në Itali, nuk më solli një paketë. Është biznesmen mes të gjithave komandon dhe Vlorën, në çdolloj drejtimi me biznese, me dyqane. Në çdo lloj drejtimi”, deklaronte në intervistën e dhënë, Albert Veliu.

PD deklaronte se përgjimi ishte i freskët, i realizuar në Vlorë dhe që provonte se Agron Xhafaj jo vetëm që nuk ishte “rehabilituar”, por drejtonte rrugët e trafikut të drogës drejt Italisë falë mbrojtjes që i garantonte i vëllai ministër i Brendshëm.

Fatmir Xhafaj e quajti përgjimin montazh. Edhe vetë Kryeministri Edi Rama foli përdori të njëjtën fjalë, montazhin, por edhe më i bindur se ministri i kabinetit të tij.

Kryeministri Edi Rama (djathtas) dhe ministri i Brendshem, Fatmir Xhafaj (majtas) gjate nje seance parlamentare. Foto LSA

“Unë kam kërkuar nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare ekspertizën shkencore të këtij materiali. Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një ndër laboratorët më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton. Po bëj një parantezë, jo për të bërtitur montazh-montazh. Po më mjafton për t’iu thënë juve se nuk jemi përpara një akti kompromentues të ministrit të Brendshëm, po akti mashtrimi të një materiali autentik përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe shkatërrimi i segmentit të fundit për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE”, deklaronte Edi Rama më 16 maj.

Por, Partia Demokratike këmbëngulte se përgjimi ishte i vërtetë dhe se për Fatmir Xhafaj e mbrojti vëllain duke mos e ekstraduar në Itali, ku rezulton i dënuar.

“Vëllai i Fatmir Xhafajt është i dënuar në Itali, por jeton i lirë në Shqipëri. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka jo vetëm përgjegjësi politike dhe morale në këtë çështje, por mbi të gjitha ka përgjegjësi ligjore. Është detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7.2 vjet burgim”, deklaronte PD.

Opozita akuzonte Fatmir Xhafajn se për të mbrojtur vëllain ka falsifikuar edhe Kodin e Procedurës Penale.

“Shqiptarët e kujtojnë se një nga ligjet e miratuara në kuadër të Reformës në Drejtësi, ishte edhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale. Pikërisht ky ligj ishte mundësia e artë që Fatmir Xhafaj të zgjidhte hallin e madh të vëllait të tij Agron Xhafaj i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, në Itali, në mungesë. Pa transparencë dhe në konflikt të pastër interesi, Ftamir Xhafaj propozoi dhe miratoi një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, që i siguron paprekshmërinë vëllait të tij Agron Xhafaj. Konkretisht, në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, befas dhe pa asnjë diskutim, shtohet pika “f”, duke parashikuar që nuk mund të jepet ekstradimi kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”, deklaronte PD.

Fatmir Xhafaj deklaronte se i vëllai i tij, Agroni e kishte kryer dënimin e marrë nga drejtësia italiane, por PD pretendonte të kundërtën. Sipas opozitës, Agroni nuk kishte vuajtur asnjë ditë nga dënimi me 7.2 vite burg dhe veç kërkesës që Agron Xhafaj të ekstradohej në Itali, këmbëngulte edhe në dorëheqjen e Fatmir Xhafajt.

Agron Xhafaj vendos të vetëdorëzohet tek autoritetet italiane. Vendimin e komunikon përmes një letre publike, ku pranon një “gabim rinor” dhe këmbëngul në pafajësinë e tij.

“Unë kam gabuar në rininë time. Si jo pak të tjerë. Aspak dhe për asnjë arsye nuk e justifikoj dhe nuk e përligj atë gabim. Edhe pse cilido që ka patur mundësinë të shohë atë dosje penale dhe ka parë rrethanat e kryerjes së asaj vepre penale, e kupton shumë mirë shkallën e përfshirjes dhë rolin tim në atë histori. Unë jo vetëm që nuk i jam shmangur hetimit dhe gjykimit tim në këtë çështje, por përkundrazi, kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të qënë prezent në Itali gjatë hetimit dhe më pas gjatë gjykimit tim. Janë të plota dhe të dokumentuara të gjitha përpjekjet e mia në këtë drejtim’, shkruan ai mes të tjerash”, deklaronte ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë