Mjedis

Në Malin Everest, akullnaja më e lartë po shkrihet me shpejtësi

Ndryshimet klimatike po bëjnë që akullnaja më e lartë në Malin Everest të shkrihet me një ritëm të shpejtë, ka zbuluar një studim i ri.

Studiuesit e udhëhequr nga Universiteti i Maine zbuluan se akullnaja e Kollit të jugut ka humbur më shumë se 54 metra trashësi në 25 vitet e fundit.

Akullnaja, e cila ndodhet rreth 7906 metra mbi nivelin e detit, po shkrihet 80 herë më shpejt sesa u desh në fillim të formohej akulli në sipërfaqe.

Shkaku i kësaj është ngrohja globale dhe erërat e forta.

Shkencëtarët që drejtuan studimin zbuluan se që nga vitet 1990, akulli që u deshën rreth 2000 vjet për t’u formuar është shkrirë.

Ata vunë në dukje gjithashtu se grumbulli i trashë i borës është gërryer, duke ekspozuar akullin e zi në themel në diell dhe duke përshpejtuar procesin e shkrirjes.

Mariusz Potocki, një nga hulumtuesit kryesorë të studimit, tha se gjetjet tregojnë “që Akullnaja e Kollit të jugut së shpejti mund të jetë një ‘relikë’ që na kujton një kohë të vjetër, më e ftohtë”.

Një autor tjetër i raportit, Tom Matthews, shkencëtar nga Kings College Londër, vërejti se nuk kishte pasur asnjë ndryshim të vetëm në klimën e rajonit që të shkaktonte rritje të shkrirjes.

“Në vend të kësaj, rritja e vazhdueshme e temperaturave përfundimisht e shtyn akullnajën përtej një pragu dhe papritmas gjithçka ndryshon”, tha ai.

Ndërsa shkrirja e akullnajave është studiuar gjerësisht, ndikimi i ndryshimit të klimës në akullnajat në këtë lartësi nuk është studiuar më parë.

Një ekip prej 10 shkencëtarësh vizitoi akullnajën, ku instaluan dy stacionet më të larta të monitorimit të motit në botë dhe nxorën mostra nga një bërthamë akulli 10 metra e gjatë.

Udhëheqësi i ekspeditës, Paul Mayewski tha se studimi tregon se sa të ndjeshme janë sistemet e tokës dhe ndaj ndryshimeve relativisht të vogla.

Mayewski gjithashtu vuri në dukje se shkrirja e shpejtë mund të ketë një shumëllojshmëri të gjerë të “ndryshimeve të rëndësishme rajonale në shkallë globale”.

Miliona njerëz varen nga vargmali i Himalajeve për ujë të pijshëm, dhe nëse akullnajat e tjera në rajon, dhe në mbarë botën, ndjekin shembullin e Everestit, kapaciteti i tyre për të siguruar ujë për pije dhe ujitje mund të bjerë ndjeshëm.

Rënia mund të sjellë gjithashtu një sfidë për alpinistët, pasi ekspeditat e ardhshme në mal mund të përballen me vështirësi në ngjitje.

Vitin e kaluar, një ekip studiuesish francezë arriti në përfundimin se akullnajat në botë po shkrihen me një ritëm të përshpejtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë