Shendet

Pse disa gra zhvillojnë kancer dhe të tjerat jo: Studimi i ri që analizon qelizat e qumështit të gjirit

Shkencëtarët nga Instituti “Wellcome-MRC Cambridge Cell”, duke studiuar ndryshimet qelizore që ndodhin në indet e gjirit tek nënat, përshi edhe ato që nuk ushqejnë me gji, kanë ofruar njohuri të rëndësishme në lidhjen midis shtatzënisë, laktacionit dhe kancerit të gjirit. Hulumtimi që u botua në “Nature Communications”, jep një mënyrë të re se përse në gjirin e disa grave zhvillohen qeliza kancerogjene dhe te tjerat jo.

Kanceri i gjirit është kanceri i dytë më i shpeshtë i diagnostikuar pas kancerit të mushkërive, me mbi dy milionë raste të reja në vit, duke qenë shkaku kryesor i vdekjeve te femrat. Simptoma tipike është prania e një ose më shumë nyjeve limfatike të prekura. Megjithatë, është thelbësore t’u kushtohet vëmendje manifestimeve të tjera, si ndryshimi i formës së thithkës, shkarkimi i sekrecioneve vetëm nga një thithkë, ndryshimet në formën dhe lëkurën e gjirit, zmadhimi i nyjeve limfatike sqetullore. Indet e gjirit janë dinamike, që do të thotë se ndryshojnë sipas fazave të ndryshme të jetës: pubertetit, shtatzënisë, ushqyerjes me gji dhe plakjes. 

Studiuesit, të udhëhequr nga Alecia-Jane Twigger, zbuluan se qelizat e gjetura në qumësht dhe që besohet se kanë vdekur ose po vdesin, janë në fakt veçanërisht aktive. Tani e tutje, ato do t’u ofrojnë shkencëtarëve mundësinë për të analizuar jo vetëm ndryshimet që ndodhin në indet e gjirit gjatë ushqyerjes me gji, por gjithashtu do t’i lejojnë ata të kuptojnë mënyrën e veprimit të një treguesi të mundshëm të hershëm të zhvillimit të kancerit të gjirit. Sipas Twigger, do të jetë gjithashtu e mundur të ofrohet një përgjigje për pyetjet tipike: pse disa gra luftojnë për të prodhuar qumësht? Si mund të zgjidhet ky problem?

Studiuesit mblodhën mostra vullnetare të qumështit të gjirit dhe mostra të indeve të gjirit nga gratë që nuk ushqejnë me gji, të cilat zgjodhën t’i nënshtroheshin një operacioni kozmetik për zvogëlimin e gjirit. Duke përdorur analizën e sekuenimit të ARN-së me një qelizë të vetme, ekipi kreu një krahasim të ri të përbërjes së qelizave të gjirit, duke identifikuar dallimet midis gjëndrave të qumështit të individëve në laktacion dhe atyre jo laktues. Prodhimi tipik ditor për gratë gjidhënëse është midis 750-800 ml. Sasia e marrë në konsideratë nga ana tjetër ishte 50 ml, një sasi që mund të përmbajë qindra mijëra qeliza.
Duke mbledhur këto mostra, ata patën mundësinë të kapnin qeliza dinamike në një mënyrë jo invazive.
“Kjo lehtësi më e madhe e aksesit në qelizat e gjirit mund të hapë derën për studime të mëtejshme mbi shëndetin e grave. Shpresojmë që ky zbulim do të lejojë që kërkimet e ardhshme të kryhen në fazat e hershme të kancerit të gjirit”, tha Walid Khaled nga Departamenti i Farmakologjisë në Universitetin e Kembrixhit.

Burimi: Il Giornale/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë