Sociale

Rikthehen reshjet e borës në Juglindje, rihapet Rruga e Arbrit. Probleme në zonat e thella

Gazeta Si - Me uljen e temperaturave, qarku i Korçës, Dibrës dhe Elbasanit është përfshirë gjatë mbrëmjes së të hënës nga reshje bore me intensitet të lartë.

Në zonat urbane trashësia e borës arriti në 10 centimetra, ndërsa në zonat malore deri 25 centimetra, ndërsa vlera minimale e temperaturës shkoi në -5 gradë.

Akset kombëtare të juglindjes janë të qarkullueshëm normalisht, por në Qafën e Qarrit, Qafë Plloçë dhe Grabovicë qarkullimi është i vështirë për shkak të ngricës.

Në rrugët drejt destinacioneve turistike të Dardhës dhe të Voskopojës këshillohet përdorimi i gomave dimërore.

Bora ka lënë të izoluar disa fshatra në zonën e Mokrës në Pogradë, Vithkuqin dhe Lekasin në Korçë si dhe fshatra të thellë malore në Bashkinë e Kolonjës, një pjesë e të cilëve prej të hënës janë pa energji elektrike.

Janë ndërprerë reshjet e borës në Qarkun e Dibrës. Rruga e Arbrit në Bypass-in e Murrizit, që u bllokua nga policia ditën e djeshme dhe natën e mbrëmshme, është hapur këtë të martë rreth mesditës, pasi mjetet borëpastruese kanë hapur dhe kriposur rrugën.

Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës, kalimi bëhet me zinxhirë për shkak të borës dhe akullit që është krijuar nga era. Kurse aksi Dibër-Librazhd, kalimi me zinxhirë.

Situata paraqitet më e vështirë është në zonat e thella, ku era sjell borën nga malet dhe bën të pakalueshme rrugët. Për shkak të erës së fortë, ka pasur probleme dhe mungesë të energjisë një pjesë të qytetit të Peshkopisë në Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Kala e Dodës, Sllovë etj. 

Edhe Qarku Elbasan që  prej mbrëmjes së një dite më parë është përfshirë nga reshje shiu e dëbore. Prezencë dëbore ka pasur në aksin Elbasan-Gjinar ku në orët e para ka krijuar pak problematika në qarkullim, por tani rruga është e hapur.

Në rrugët e fshatrave që lidhen me Njësinë Administrative  Labinot Mal dhe në segmentin Lunik-Klenjë të aksit rrugor nacional Librazhd-Sterblevë duhet që lëvizja të kryhet me zinxhirë.

Deri më tani nuk ka probleme me prurjet e lumenjve dhe përrenjve në qark, ndërsa furnizimi me energji elektrike paraqitet pa probleme.

Sipas ARRSH, të gjitha akset janë të hapura pasi është punuar gjatë gjithë natës dhe ka ndihmuar fakti që temperaturat nuk kanë qenë nën minus, çka e ka bërë më të lehtë punën e borëpastrueseve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë