Politike

KQZ heq Berishën, “Shtëpia e Lirisë” regjistrohet e cunguar në zgjedhje

“Shtëpia e Lirisë” u regjistrua si koalicion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por zyrtarisht vetëm si koalicion i LSI-së me Partinë Demokristiane të Nard Ndokës, duke u zhveshur nga çdo term, apo sigël që e lidh këtë koalicion me Partinë Demokratike zyrtare.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Marash Logu paraqiti dy kërkesa. Ai tha fillimisht se kërkesa për koalicion është e paligjshme dhe në marrëveshjen e koalicionit ka referenca të qarta për Partinë Demokratike.

Pretendimin e parë, përfaqësuesi i PD-së e bazoi në faktin që kërkesa për të regjistruar një koalicion nga LSI është dorëzuar para se kjo parti të regjistrohej si subjekt zgjedhor në KQZ. Përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Altin Kaziaj e kundërshtoi duke akuzuar Logun se po i bëntë një interpretim politik Kodit Zgjedhor.

Pretendimi i dytë i ngritur nga Logu lidhej me siglën dhe referimit në marrëveshjen e koalicionit “Komisioni i Rithemelimit – Partia Demokratike”. Ai tha se kjo është referencë e qartë për Partinë Demokratike zyrtare, në një kohë që vetë kjo parti as ka shprehur vullnetin dhe as dëshirën për të qenë pjesë e këtij koalicioni.

Pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve, Komisioneri Ilirjan Celibashi rrëzoi kërkesën e parë të PD-së, por miratoi kërkesën e dytë të saj.

“Sa i takon legjitimitetit të kërkesës së parë në raport me afatet…ne këtë kërkesë po e shqyrtojmë sot dhe në këtë moment, LSI si parti politike figuron të jetë e regjistruar si subjekt zgjedhor. Pra, kjo bie si pretendim, sepse nuk ka bazë ligjore”, tha ai.

Për kërkesën e dytë i dha të drejtë dhe Celibashi vendosi ta regjistrojë “Shtëpinë e Lirisë” duke i hequr “Komisionin e Rithemelimit – Partia Demokratike”.

“Ky pretendim qëndron, përsa i përket disa aspekteve identifikuese, qoftë politike dhe zgjedhore të këtij koalicioni. Kërkesa reflekton konfliktualitet sipas Kodit Zgjedhor me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike dhe subjekti tjetër zgjedhor. Kërkesa për të përfshirë në simbole dhe sigla dhe thelb elementë që lidhen me PD, nuk mund të pranohet. Prandaj, regjistroj si subjekt zgjedhor, koalicionin “Shtëpia e Lirisë” – me shkronjat nistore SHL. Partia udhëheqëse e koalicionit është LSI”, deklaroi Celibashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë