Deputeti i PD, Lefter Gështenja ka kërkuar në komisionin kuvendor të Veprimtarisë Prodhuese, që të zhvillohet seancë dëgjimore me grupet e interesit në lidhje me ndryshimet ligjore që parashikohen në ligjin “Për menaxhimin e integruar të Mbetjeve” , siç janë prodhuesit e plastikës, ndërsa ministrja Kumbaro premtoi takime me të gjithë përfaqësuesit e biznesit të riciklimit për diskutimin e zbatimit të këtyre ndryshimeve pas datës 1 qershor.
Rreth 27 kompani riciklimi të qeseve të plastikë në vendin tonë rrezikojnë mbylljen dhe afro 450 punëtorë do të flaken në rrugë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore në ligjin “Për menaxhimin e integruar të Mbetjeve”, që ndalon prodhimin e qeseve plastike shumëpërdorimshe.
Deputeti i PD në komisionin kuvendor të Veprimtarive Prodhuese Lefter Gështenja kërkoi thirrjen në seancë dëgjimore të grupeve të interesit pasi nuk ka pasur konsultime as me publikun dhe as me ricikluesit për këtë projektligj.
“Janë 27 kompani riciklimi dhe 450 të punësuar, ndërsa vlera e investimit në linjat e prodhimit është mbi 50 mln euro. A ka një plan kjo qeveri para se të shkojmë te ky projektligj, apo thjesht për të marrë flamurin si vendi i parë që ndalon me ligj qeset plastike? A ka një vlerësim financiar nga ju, po marr rastin më të mirë, nëse nuk marrin hapa që të na çojnë në arbitrazh dhe sa do jetë humbja e shtetit si pasojë e këtij ligji?”, u shpreh deputeti demokrat, Lefter Gështenja.
Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro tha se sa u takon prodhuesve të plastikës, ata do të kenë mundësi të tjera të zgjerimit të gamës së prodhimit të produkteve të tyre në qeset pa veshë të transportimit të mbetjeve si dhe të produkteve të tjera të plastikës.
Por a janë dakord kompanitë e riciklimit të plastikës në vendin tonë për ndalimin e prodhimit dhe tregtimit të qeseve plastike.
Një prej drejtuesve të një kompanie riciklimi në Shqipëri, Vullnet Haka i kontaktuar nga gazetasi.al tha se ricikluesit e kundërshtojnë prligjin si veprim ekstrem të politikës në vazhdën e dështimit të menaxhimit të integruar të mbetjeve në tërësi, ashtu dhe në rryma të caktuara.
“Ne do të paraqesim amandamentet tona të pr/ligjit në komisionet parlamentare, të cilat do të duhej të ishin ndryshimet ligjore të propozuar nga qeveria”, tha ai.
“Nëse ato nuk do të merren në konsideratë, ne do ta dërgojmë ndryshimin ligjor në Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj në Gjykatat e Arbitrazhit”, u shpreh Haka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



