Rend dhe Ligj

Ryshfet për xhamat e errët të makinave, mes tyre një zyrtar i DPTSHRR dhe një mjek. Merrnin deri në 30 mijë lekë

Shtatë persona janë arrestuar dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim në Tiranë pas një hetimi për falsifikimin e lejeve për xhamat e errësuar të makinave.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin merrnin nga 100 deri në 300 mijë lekë të vjetra, duke u siguruar disa personave nga Tirana e Durrësi çertifikata për xhamat e errëta të makinave, si dhe kalimin e kontrollit teknik të mjeteve, apo edhe pajisjen me dokumente mjekësore për mospërdorimin e rripit të sigurimit.

Mes të arrestuarve janë edhe një punonjës i DPTSHRR, një mjek, punonjës në Drejtorinë e Patentave, pronarë servisi makinash e punonjës, si dhe një mjek në Qendrën Shëndetësore në Kamëz.

Gjithçka ka nisur, kur në datë 16.11.2021, një bashkëpunëtor i drejtësisë, ka shkuar tek Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor për t’u interesuar sa kushton rinovimi i dokumentacionit te mjetit te tij, pasi ai mund të shkojë jashtë shtetit muajin tjetër dhe makinën do ta përdornin familjaret e tij.

Të arrestuarit janë:

Qamil Domi 31 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Erjon Rakipllari 34 vjeç, banues në Sallmone, Durrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim, me detyrë administrator në një servis për veshje xhamash të errësuar;

Erges Zaka 26 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim”, punonjës në servisin për veshjen e xhamave të errësuar;

Yllka Graceni 61 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, me detyrë punonjëse në një agjenci sigurimesh;

Artan Frroku 38 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, me detyrë administrator në agjencinë e targimit të automjeteve në Xhafzotaj;

Artan Murati 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave shëndetësore nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”, me detyrë mjek pranë Qendrës Shëndetësore Kamzë;

Zef Ndoca 27 vjeç, banues në Katund i Ri, Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, me detyrë specialist në Qendrën e Kontrollit Teknik pranë DRSHTRR Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë