Çdo listë e trajneri Kristian Panuçi ka pasur emra të rinj dhe këtij “rregulli” të italianit të stolit kuqezi nuk i ka shpëtuar edhe lista e fundit. Janë 4 lojtarët që për herë të parë grumbullohen me Kombëtaren A të Shqipërisë, 4 emra që askush nuk i priste në këtë moment: Kastriot Dermaku, Xhakomo Vrioni, Egli Kaja dhe Myrto Uzuni. Kush janë “4 muskëtierët” e rinj të Panuçit? Vetëm njëri prej tyre, Myrto Uzuni, është prodhim vendës, – ka vetëm pak muaj që ka shkuar në Kroaci – të tjerët janë formuar jashtë, në Itali dhe Angli. Janë futbollistë premtues dhe trajneri i kuqezinjve ka vendosur t’u japë shansin për t’i shërbyer Kombëtares. Gazeta Si bën një prezantim më të plotë të secilit prej tyre.
Kastriot Dermaku është 26 vjeç (15 janar 1992), ka lindur në Skandiano, në Itali. Ka nënshtetësi shqiptare dhe kosovare. Është 1.95 m i gjatë, luan me këmbën e majtë dhe aktivizohet në qendër të mbrojtjes. Përfshirja në listë e Dermakut pritet të sjellë polemika, pasi ky futbollist, pasi është aktivizuar me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, ka kaluar te Kosova. Madje, ka qenë i grumbulluar nga trajneri i saj, Shalandes, kur ka mësuar se është pjesë e listës së Panuçit. Pritet të ketë reagime nga Kosova, pasi dy federatat kanë pasur një marrëveshje të heshtur për të mos i “ngacmuar” lojtarët e njëri-tjetrit. Nga 4 “përforcimet“ e fundit të Panuçit, është lojtari me më shumë përvojë. Nga viti 2012, kur ka nisur karrierën si profesionist në kategoritë e ulëta në Itali, Dermaku numëron 201 ndeshje. Më shumë se 100 ndeshje i ka me fanellën e Melfit, në Lega Pro dhe në Serinë C. Ka veshur fanellën e Pavias dhe Lukezes në Serinë C, ndërkohë që ka qenë pjesë e Empolit në Serinë A, por nuk ka luajtur asnjë ndeshje. Sezonin e kaluar ishte pjesë e Kozencës në Serinë B dhe ka pasur aktivizim të rregullt me 40 ndeshje. Me të njëjtën skuadër luan edhe këtë sezon, por në Serinë B. Deri tani ka luajtur 6 ndeshje. Gjatë gjithë karrierës së tij, Dermaku ka shënuar 10 gola, jo keq për një mbrojtës qendre.
Xhakomo Vrioni është italiani tjetër i thirrur për herë të parë nga trajneri Kristian Panuçi. Italian prej vërteti, pasi edhe emri i tij shkruhet italisht “Giacomo”. Ka lindur në San Severino (Marke) në Itali dhe është 19 vjeç (15 tetor 1998). Është 1.80 m i gjatë dhe roli i tij natyral është ai i qendërsulmuesit. Edhe ai ka dy nënshtetësi, italiane dhe shqiptare. Në vitin 2016 është grumbulluar me Italinë U-19, me të cilën ka luajtur 4 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol. Pak kohë më parë u grumbullua nga trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, i cili foli me superlativa për këtë lojtar. “Shqipëria ka gjetur sulmuesin e së ardhmes” – shprehej Bushi në konferencë shtypi. Vrioni nuk luajti me ekipin Shpresa në ndeshjen me Spanjën, sepse ende nuk ishte pajisur me pasaportën shqiptare, por u aktivizua në miqësoren me Italinë, madje edhe shënoi. Kartonin e këtij lojtari e ka Sampdoria, që sezonin e fundit e kishte huazuar te Pistoieze në Serinë C, ndërsa këtë sezon është huazuar te Venecia në Serinë B. Në 27 ndeshje me Pistoiezen sezonin e fundit shënoi 8 gola. Këtë sezon nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës në 3 ndeshjet që është aktivizuar me Venecian. 30 ndeshje si profesionist për Vrionin, një nga elementët më premtues për Kombëtaren kuqezi.
Myrto Uzuni është talenti i radhës që shpërthen në kampionatin shqiptar, transferohet jashtë vendit dhe më pas thirret në Kombëtare. Ai është i lindur më 31 maj në Berat, 1,78 m i gjatë dhe luan me këmbën e djathtë. 23-vjeçari e nisi karrierën e tij si futbollist me ekipin e Tomorit. Për 2 vite ai ishte pjesë e Apolonisë në Kategorinë e Parë, fakt që e pengoi jo pak në ecurinë e karrierës së tij. Kur ishte në Kategorinë e Parë, sulmuesi beratas ishte në lupën e ekipeve të kryeqytetit, Tirana dhe Partizani. Të dyja klubet e kërkuan me insistim, por nuk preferuan të paguajnë çmimin e tij te klubi fierak. Atë që nuk e bënë Partizani dhe Tirana, e bëri Laçi që investoi te Uzuni dhe vetëm pas një viti, 23-vjeçari e ktheu shumëfish këtë investim. Te Laçi në Superiore sulmuesi nga beratas ishte një nga protagonistët, që e çoi ekipin kurbinas deri në Kupat e Europës. Këto paraqitje shumë të mira, por edhe vullneti i madh për t’u rritur, bën që Uzuni të transferohej në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit. Vetëm në orët e fundit të merkatos sulmuesi më i ri i kombëtares, arriti që të kalonte në superligën kroate, por kjo nuk e pengoi që të bënte paraqitje të mira, madje duke gjetur edhe rrugën e rrjetës. Pozicioni i tij natyral është sulmues i krahut të djathtë, por mund t’i mbulojë të katër pozicionet e repartit ofensiv nëse i kërkohet nga trajneri. Me formën e mirë fizike që disponon, Uzuni besohet se do të hidhet në fushë nga trajneri Panuçi në ndeshjen miqësore me Jordaninë. Më pas në varësi të formës në këtë ndeshje, do të shikohet nëse do mund të ketë minuta edhe në ndeshjen zyrtare me Izraelin, e vlefshme për UEFA Nations League.
Egli Kaja është 21 vjeç, i lindur në qytetin Ferizajt në Kosovë. Ashtë 1.77 m i gjatë dhe luan me këmbën e majtë. Ai mund të quhet si një nga prurjet me enigmatike në ekipin kombëtar. Nuk është i njohur shumë në rrethin futbollistik shqiptar, por edhe karriera e tij në ishullin britanik nuk është shumë mbresëlënëse. Por një tjetër pikë e çuditshme te ky futbollist, ka të bëjë edhe me faktin se në lisën e publikuar nga FSHF ai është renditur në listën e mbrojtësve, ndërsa pozicioni i tij në klubet ku ka luajtur është sulmues qendër dhe sulmues anësor. Kaja është i formuar si futbollist në akademinë e klubit të kategorisë së tretë në Angli, AFC Wimbledon. Prej merkatos së kësaj vere, Kaja ka kaluar në Superligën e Skocisë, te skuadra e Livingston FC. Në këtë fillim sezon, prurja më e re në ekipin kuq e zi ka luajtur në 6 ndeshje, 4 në kupë dhe 2 në kampionat, por në asnjërën nuk ka luajtur që nga minuta e parë. Me shumë gjasa edhe ky futbollist do të provohet për disa minuta në ndeshjen miqësore me Jordaninë dhe nuk besohet që të aktivizohet në ndeshjen zyrtare në Izrael. Në varësi të asaj që do të tregojë në fushë në ndeshjen e “Elbasan Arena”, por edhe të ecurisë në kampionatin skocez do të vendoset nëse Kaja do të grumbullohet sërish me ekipin kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.