Sociale

Pas 3 ditësh ndërprerje, shkolla rifillon të enjten

Gazeta Si - Pas tre ditësh ndërprerje për shkak të temperaturave shumë të ulëta në vend, shkollat në ciklin parauniversitar do të rifillojnë nesër (e enjte, 27 janar).

Siç edhe ishte njoftuar më parë, si pasojë e përmirësimit të kushteve të motit, nuk do të ketë ndryshim të vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe nxënësit pritet që t’i kthehen bankave të shkollave të enjten.

Një gjë e tillë, u konfirmua edhe nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, se mbyllja e shkollave për tre ditë për shkak të kushteve të vështira të motit, ishte e detyrueshme dhe e këshilluar nga ekspertët.

Në konferencën për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Kushi tha se mbyllja nuk ka ardhur vetëm për shkak të mungesës së ngrohjes në shkolla. Sipas ministres, sinoptikanët kanë parashikuar kushte më të favorshme të motit nga data 27 janar e tutje.

“Lajmi i mirë është që nesër të gjithë nxënësit do të rikthehen në shkolla, moti parashikohet të jetë më i favorshëm. Temperaturat nuk ishin të zakonshme. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Edhe Greqia i mbylli shkollat të hënën. Edhe Turqia ka bërë të njëjtën gjë dhe shumë shtete të tjera. Arsyeja nuk ka qenë vetëm ngrohja në shkolla, por ne duhet të kujdesemi dhe kemi përgjegjësi për nxënësit që në momentin kur dalin nga shtëpia, nëse ka ngrica në rrugë duhet të marri masat”, u shpreh ministrja.

E pyetur se përse nuk u veprua njësoj edhe për kopshtet dhe çerdhet, Kushi tha: “Çerdhet dhe kopshtet janë në varësi të bashkive. Por prindërit nuk janë të detyruar t’i çojnë fëmijët, ndërsa shkolla ka një program dhe nxënësit kanë detyrim”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë