Drejtësia

Skandali me inceneratorët, shpallen në kërkim ndërkombëtar Stela Gugallja dhe Klodian Zoto

Gazeta Si - Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë shpallur në kërkim ndërkombëtar në lidhje me çështjen e skandalit të inceneratorit të Elbasanit, ku në pranga deri tani është vetëm ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Pasi kanë kaluar 30 ditë nga shpallja në kërkim në Shqipëri, Policia e Shtetit nuk ka mundur t’i lokalizojë, ndaj Gugallja dhe Zoto janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana me kërkesë të SPAK-ut.

Bëhet fjalë për një procedurë ligjore nga ana e policisë, kur pas mungesës së arrestimit në nivel kombëtar, të dyshuarit shpallen automatikisht në kërkim ndërkombëtar.

LEXO EDHE:
- Inceneratorët/ Lefter Koka nuk pranon akuzat, por gjykata e la në burg. Avokati kundër arrestimit: Proces politik
- Lidhjet e Zotos dhe Gugalljas, dy të kërkuarve të tjerë të inceneratorëve

Para një muaji, ndaj Gugalljes dhe Zotos, pronarë të kompanive që fituan koncesionin dhe ndërtuan inceneratorin e Elbasanit, gjykata ka dhënë masën e ‘arrestit me burg’.

Inceneratorët ishin projekte të ndërtuara me fondet e shtetit shqiptar, ndaj ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa fiktive të përvetësuara nëpërmjet kësaj skeme.

Sipas SPAK, buxhetit të shtetit i është shkaktuar rreth 3.7 milionë duro dëm. Prokuroria thotë se Lefter Koka ka marrë para në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive.

Nga hetimet e kryera, SPAK konfirmon se u provua se është shkelur ligji gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, me negocim dhe pa shpallje paraprake të njoftimit.

Organi i akuzës thotë se leja koncesionare dyshohet se është marrë nëpërmjet ryshfetit, ndërsa kompania me pronare Stela Gugalljen, i lëshonte fatura fiktive për punë të pakryera kompanisë së Klodian Zotos.

Kjo ishte goditja e parë e korrupsionit në nivel të lartë nga SPAK, ndërsa opozita akuzoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjës final të aferës së incineratorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë