Shendet

OBSH shton dy barna të reja te rekomandimet për të kuruar Covid

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shtuar në listën e barnave të rekomanduara për trajtimin e simptomave të mesme dhe mesatare të Covid edhe dy ilaçe të tjera. Rekomandimet janë dhënë nën dritën e valës së pashembullt të infeksionit që po përhapet nga varianti Omicron në mbarë botën.

OBSH rekomandon fort përdorimin e baricitinibit për pacientët me simptoma të rënda, ose kritike. Ky është një ilaç që përdoret për trajtimin e artridit, ndërsa këshillohet të kombinohet me kortikosteroidet.

Rekomandimet e panelit të ekspertëve të OBSH janë publikuar në revistën shkencore British Medical Journal këtë të premte.

Kurat, sipas vëzhgimit të ekspertëve të OKB-së është vënë re se reduktojnë nevojën për përdorimin e ventilatorëve dhe rrisin mundësitë e mbijetesës për pacientët në gjendje të rëndë. Deri më tani, thotë paneli i OBSH, nuk janë vënë re efekte anësore të përdorimit të tyre.

Ekspertët e OBSH dhanë gjithashtu edhe një rekomandim të kushtëzuar për sotrovimabin, një antitrup monoklonal në fazë eksperimentale. Ky ilaç këshillohet për pacientët me simptoma të mesme, por me rrezik të lartë shtrimi në spital. Antitrupat monoklonalë janë përbërës të krijuar në laborator që imitojnë mekanizmin mbrojtës natyral të trupit të njeriut.

Rekomandimet e rea të OBSH mbërrijnë në një kohë që pandemia po përhapet pa fre në mbarë botën. Në vetëm një javë, OBSH thotë se janë raportuar më shumë se 15 milionë raste të reja me Covid-19, një shifër rekord që prej nisjes së pandemisë.

Rekomandimet janë dhënë pas testimit të këtyre ilaçeve te më shumë se 4 mijë pacientë me simptoma të lehta, të mesme dhe kritike. Ato u mbivendosen rekomandimeve të mëhershme për përdorimin e interleukin-6, një bllokues receptorësh që mbron qelizat nga infektimi me virusin dhe korticosteroideve për pacientët me simptoma të rënda, ose kritike.

Mes rekomandimeve është edhe përdorimi në raste të veçanta i casirivimab-imdevimab, një tjetër antitrup laboratorik monoklonal. Nga rekomandimet përjashtohet kategorikisht përdorimi i plasmës, ivermectinës dhe hidroksklorokinës, pavarësisht gjendjes së pacientëve.

Organizata humanitare franceze, “Mjekët pa kufij” mirëpriti rekomandimet e reja dhe dhe u kërkoi qeverive që t’i zbatojnë për të mbrojtur pacientët.

Baricitinibi prodhohet nga kompania amerikane farmaceutike Eli Lilly, me patenta prodhimi edhe në Indi, Brazil dhe Indonezi. Javët e fundit, qeveritë dhe autoritetet e tyre përkatëse kanë miratuar një sërë medikamentesh orale, përfshirë këtu edhe Paxlovidin e Pfizer, që tregoi në efikasitet rreth 90 për qind në parandalimin e shtrimeve në spital. Kompania pretendon se ky medikament është efektiv edhe ndaj Omicron.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë