Menaxhim

‘Fiket’ kadastra, nga posta nuk bëhet dot asnjë shërbim online

Nga e enjtja e kaluar(6 janar) të gjitha shërbimet online që kryhen nga Posta Shqiptare lidhur me hipotekën, kanë rënë si pasojë e bllokimit të sistemit.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në disa nga filialet e postave nëpër Tiranë, konstatoi se jo pak qytetarë ishin duke pritur në rradhë e po ankoheshin për rënien e sistemit online dhe pamundësinë për të kryer shërbimet që iu nevojiteshin.

“Unë po kërkoj të marr vërtetimin e kartelës së pasurisë për të zhbllokuar një kredi në bankë por kam disa ditë që po sorollatem. Mendova që pas fundjavës problemi do të ishte rregulluar por mesa duket vijon ende kështu sepse edhe sot nuk munda që të mbaroj punë edhe pse është e martë”, tha për Gazetasi.al Erjon Mula, një i ri që po qëndronte me një tufë letrash në dorë pranë zyrave qendrore të Postës Shqiptare në qendër.

Sportelistja në këtë filial tha për Gazetasi.al se prej disa ditësh ata nuk kanë mundur të kryejnë asnjë shërbim sepse sistemi i hipotekës nuk u le mundësinë që të kryejnë veprime.

Qytetarë që presin në rradhë

“Asnjë nga qytetarët nuk ka mundur që t’i marrë shërbimet që nga fundi i javës së kaluar sepse vetë sistemi nuk na lejon që të futemi. Është problemi tek hipoteka si institucion dhe jo tek postat.

Janë nëntë shërbime kryesore për të cilët qytetarët kanë ardhur më shpesh duke filluar nga regjistrimi i kontratës së shitjeve apo asaj së dhurimit, kopja e hartës kadestrale të pasurisë, lëshimi i kopjes së kartelës së pasurisë, regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë deri në 1.000.000 lekë etj. Këto shërbime së fundmi kanë zënë rreth 40% të volumit të punës por gjatë këtyre ditëve kemi qenë në ngërç”, thotë ajo teksa vijonte t’u shpjegonte më tej të njëjtën gjë qytetarëve të tjerë të interesuar.

Ajo shton se dikur që këto shërbime të kryeheshin kërkonin nga katër deri në tetë ditë pune por që pas marrëveshjes të nënshkruar në 9 tetor të vitit 2018 e cila lejonte pagesat e hipotekës edhe nëpërmjet postës, tashmë mjaftojnë më pak se 24 orë.

“Pas lehtësirave të kohëve të fundit ku njerëzit mund t’i kryejnë veprimet edhe nëpërmjet bankës është shtuar fluksi i qytetarëve që i kërkojnë këto shërbime. Pas festave ka patur vërtetë kërkesa për të marrë shërbimet që lartpërmenda më sipër por siç thashë nuk kemi mundur që t’i kryejmë për shkak të bllokimit të sistemit online.

Ka shumë qytetarë që vijnë dhe ankohen por nuk është nën pergjegjësinë dhe tagrin tonë. Është e gjitha tek vetë institucioni i hipotekës”, shtoi mandej ajo.

Pagesat përpos Postës Shqiptare mund të kryhen edhe përmes Bankës Credins.

Gazetasi.al vizitoi zyrat qendrore të kësaj banke ku nga zyra e informacionit iu tha po e njëjta gjë.

Një tjetër qytetare që po qëndronte në rradhë për të marrë shërbimin pranë sportelit të bankës tha e indinjuar për Gazetasi.al se edhe pse ajo aty po paguante një kosto dyfish më të lartë për t’i marrë shërbimet më shpejtë, kishte disa ditë që nuk po mundej t’i mbyllte.

“Kisha disa pagesa për të kryer. Tek posta nuk mbylla dot punë dhe erdha tek Credins po dhe këtu më thanë të njëjtën gjë.

Supozohet që me të dorëzuar dokumentin, procedura përfundon menjëherë dhe për këtë lehtësi ne paguajmë dyfish krahasuar me çmimin për shërbimet normale.

Nuk kemi as kohë dhe as lekë tepër që të harxhojmë nëpër sportele e filiale. Kush ka përgjegjësi le ta mbajë se këta janë mësuar që e kalojnë topin nga njëri tek tjetri dhe faji mbetet jetim”, tha ajo duke shtuar nëpër dhëmbë që ishte lodhur nga burokracitë shqiptare.

Por ndryshe nga postat, Fernada Cenko, zëdhënësja e hipotekës tha për Gazetasi.al se ky problem kishte ndodhur dje(10 janar)dhe jo ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë