Mjedis

Dieta me perime mund të ndalë ndryshimet klimaterike

Njëqind miliardë ton dioksid karboni mund të hiqen nga ajri deri në fund të shekullit përmes dietave me perime dhe ripërtëritjes së tokës bujqësore. Ky është vlerësimi i një studimi mbi ndryshimet klimaterike që u krye nga Universiteti Leiden në Holandë.
Një e katërta e emetimeve globale të gazeve serrë vijnë nga ushqimi dhe bujqësia, me bagëtitë që përbëjnë pjesën më të madhe, në vendet e pasura. Dhe kafshët kanë nevojë për një sasi të madhe toke për kullotje dhe rritje të ushqimit. Nëse vendet më të pasura largoheshin nga dietat e pasura me mish, do të nevojitej shumë më pak tokë për të rritur ushqimin dhe zona të gjera mund të liheshin për t’u rikthyer në gjendjen e tyre natyrore, me bimë dhe pemë të egra që tërhiqnin karbonin nga atmosfera, zbuloi studimi.


Ky “dividend i dyfishtë klimatik” mund të arrihet përmes lidhjes së tokës, ushqimit, shëndetit publik dhe politikës klimatike.
“Është një goditje e dyfishtë. Ne e dimë se ndryshimi i dietave mund të kursejë një sasi të madhe emetimesh duke nisur nga shmangia e tyre, nga bujqësia me bazë shtazore, edhe nga kursimi i sasive të mëdha tokësore që mund të përdoren për të sekuestruar karbonin nga atmosfera,” tha Paul Behrens nga Universiteti Leiden në Holandë, i cili drejtoi hulumtimin.

Studiuesit vlerësuan se kalimi në një dietë me pak mish, por shumë perime nga më shumë se 50 vende me të ardhura të larta do të jepnin efekt në pak kohë.
Ata vlerësojnë se kjo “dietë e shëndetit planetar” do të reduktonte emetimet vjetore të prodhimit bujqësor me pothuajse dy të tretat, ndërkohë që lejimi i tokës bujqësore të rikthehej në gjendjen e saj natyrore do të largonte 98.3 miliardë ton dioksid karboni nga atmosfera deri në fund të shekullit.

“Një mënyrë tjetër për të menduar për këtë është se ju mund të dyfishoni përafërsisht emetimet që kurseni duke ndjekur një dietë me bazë bimore nëse toka lejohej të ri-egërsohej ose të ri-pyllëzohet,” tha Behrens.
Ekspertët kanë shkruar në studimin e publikuar në revistën “Nature Food” se çdo herë e më shumë po kuptohet se ndryshimin e klimës e gjejmë tek vetë natyra.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë