Jane Campion fiton Golden Globe 2022 me filmin “The Power of the Dog”. Njëzet e tetë vjet pas Oscarit për “The Piano” dhe një vit pas fitores së Chloé Zhao, regjisorja e Zelandës së Re fiton çmimin Regjisori më i mirë dhe Dramën më të Mirë në një edicion që shpërbleu gjithashtu muzikalin e Steven Spielberg, “West Side Story” dhe, në frontin televiziv serialin “Succession”.
Eventi magjepsës i Golden Globes është kthyer në një ceremoni private pas polemikave që goditën shtypin e huaj të Hollivudit: asnjë tapet i kuq apo TV live për ceremoninë, çmimet u komunikuan përmes faqes së çmimeve. Ndaj një formati të tillë janë hedhur akuza për korrupsion dhe mungesë të diversitetit në trupin votues.
Tri çmime për “The Power of Dog”
Dymbëdhjetë vjet pas filmit të saj të fundit, Jane Campion me “The Power of Dog” (prodhuar nga Netflix) tregoi një histori të “maskilizmit toksik”, e lindur nga dashuria në shikim të parë për romanin e Tomas Savage të vitit 1967.
Në sfondin e Montanës rurale të viteve 1920, dy vëllezër që zotërojnë tufa përplasen kur njëri prej tyre, George (Jesse Plemons), martohet me të venë Rose (Kirsten Dunst) dhe e çon në fermë. Vëllai më i zgjuar, inteligjent, por i torturuar, Phil (Benedict Cumberbatch), fillimisht ia bën jetën të pamundur kunatës së tij dhe më pas lidhet në mënyrë të paqartë me djalin e saj, Peter, të talentuarin Kodi Smith Mc-Phee, i cili u vlerësua si aktori më i mirë dytësor.
Filmi muzikor i Spielberg
Në filmin muzikor triumfon “West Side Story” i Stephen Spielberg. Versioni i ri i shfaqjes nga Stephen Sondheim dhe Leonard Bernstein u shpërblye gjithashtu për dy aktoret: Ariana De Bose dhe të renë Rachel Zegler. Regjisori 74-vjeçar ka përmbushur ëndrrën e tij për të treguar historinë e munduar të dashurisë të frymëzuar nga Romeo dhe Zhulieta, të vendosur në Nju Jork të viteve 1950 mes bandave adoleshente.
Succession, seriali më i mirë dramatik
Siç parashikohej në frontin televiziv, triumfoi seriali Succession, kushtuar familjes së manjatit mediatik Roy, me çmime edhe për aktorët Jeremy Strong dhe Sarah Snook që luajnë dy nga fëmijët e familjes. Hacks dhe protagonistja Jean Smart, fituan në frontin e serialit komedi, ndërsa drama e Barry Jenkins “The Underground Railroad” mbi skllavërinë e afrikano-amerikanëve mbizotëroi si miniseriali më i mirë dramatik.
MJ Rodriguez u nderua gjithashtu për rolin e Blanca Evangelista në serialin televiziv Pose, falë të cilit ajo u bë personi i parë transgjinor që mori një Golden Globe.
Asnjë tapet i kuq ose drejtpërdrejt në TV: çmimet shpallen në faqe
Vitin e kaluar organizata që ka menaxhuar Golden Globes që nga viti 1944 ka qenë objektivi i një sërë hetimesh që zbuluan mungesën e diversitetit (nuk kishte asnjë gazetar me ngjyrë në grupin prej nëntëdhjetë gazetarësh) dhe mungesën e qartësisë në ndarjen e çmimeve. Muajt e fundit ka pasur disa transformime, siç shpjegoi presidentja e re Helen Hoehne, e cila me rastin e shpalljes së nominimeve tha: “Ka qenë një vit ndryshimi dhe reflektimi. Ne punuam për tetë muaj për një kod të ri sjelljeje dhe rregulla të reja që do të na jepnin një perspektivë të re dhe të freskët falë prezantimit të 21 anëtarëve të rinj”. Ceremonia nuk u drejtua nga yjet e Hollivudit, sipas traditës, por nga çmimet shpallur nga një seri “prezantuesish” nga organizata të ndryshme, festivale dhe universitete të mbështetura nga “Hollywood Foreign Press” në një mbrëmje ku morën pjesë dyqind të ftuar, duke respektuar distancat dhe me maska në hotelin Beverly Hills nga ku shfaqja transmetohej çdo vit drejtpërdrejt.
Aktorë si Jamie Lee Curtis dhe Arnold Schwarzenegger dërguan video.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



