Endri Konomi dhe Klodian Sota, të arrestuar për blerjen e databazës në lidhje me skandalin e pagave të shqiptarëve, sipas Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve, nuk janë përmbarues, por mashtrues.
Gjatë detajeve të dhëna këtë të premte, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, tha se “këta persona punojnë në fushën e përmbarimit”.
Por në njoftim të shpërndarë për mediat, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve, sqaron se të arrestuarit “punojnë në fushën e mashtrimit”.
“I pari ka krijuar “PRO 3VT” sh.p.k. – Institucion financiar mikrokredie; I dyti “SMART COLLECTION” sh.p.k. – Kompani “Mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të tretë…”.
Sipas Dhomës së Përmbaruesve, “të dyja kompanitë, në mashtrim të ligjit dhe qytetarëve, pa asnjë lloj licence për këto aktivitete, janë regjistruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe lejuar nga Banka e Shqipërisë. Databazat e shtetit shqiptar janë blerë për të mashtruar dhe shantazhuar publikun dhe ky duhet të ishte hetim i përfunduar prej kohësh…”, thuhet në reagim.
Dhoma e Përmbartuesve, akuzon publikisht “titullarët e këtyre dy institucioneve për lejimin e tyre, ashtu si të dhjetëra të tjerave që ne i kemi denoncuar disa herë si “Baraka Financiare”, të cilat mbledhin borxhe nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit”.
Dhoma thotë se ka denoncuar pa reshtur fenomenin e bërjes së “përmbarimit” me telefonata dhe shkresa mashtruese, që s’kanë asnjë lidhje me shërbimin përmbarimor shtetëror apo privat, por vetëm me këta blerës të paskrupullt të borxheve të qytetarëve dhe databazave shtetërore.
“Sot pamë se janë blerë edhe instrumentet për t’i shantazhuar ata, adresat, numrat e telefonit, të dhënat e gjendjes civile, mjeteve motorike etj”.
Dhoma e Përmbaruesve i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të mos “flejë” mbi çështjet e denoncuara prej dy vitesh nga Ministria e Drejtësisë dhe prej disa muajsh nga përmbaruesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.