Prokuroria e akuzon Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist të Krujës, Rrahman Rraja vetëm me akuzën e përndjekjes ndaj Xhisiela Malokut, 25-vjeçares që e denoncoi edhe për dhunë. Në kërkesën dorëzuar para Gjykatës së Krujës, Prokuroria jep edhe provat e grumbulluara nga hetimi i deritanishëm.
Në to konfirmohet lidhja intime disavjeçare mes të akuzuarit dhe viktimës dhe më pas përshkruhet shkurtimisht ajo çfarë ka ndodhur më 21 korrik të 2018, kur Xhisiela Maloku është paraqitur fillimisht në komisariatin nr.3 në Tiranë për të denoncuar Rexhep Rrajan dhe brenda së njejtës ditë, në mbrëmje në stacionin policor të Fushë-Krujës, për të tërhequr kallëzimin e bërë në Tiranë.
Prokurorja Mirela Kapo, në kërkesën e dorëzuar në gjykatë emrin e ish-oficerit të policisë gjyqësore, Emiljano Nuhu e përmend në rastin e marrjes së pamjeve filmike në hotelin Boçi. Por, Nuhu thotë se ka qenë ai që ka marrë denoncimin dhe rreth orës 19:30, po të 21 korrikut është kërcënuar në zyrën e tij nga babai i të akuzuarit, deputeti Rrahman Rraja dhe vëllai i tij, Xhelal Rraja, në prani të deputetit Taulant Balla dhe kreut të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
Prokuroria i referohet procedimit penal të nisur ndaj oficerit të policisë gjyqësore, Gentian Çitozi, që akuzohet për shpërdorim detyre, pasi është përpjekur që të lehtësojë akuzat ndaj Rexhep Rrajas.
“Rezulton se faktet e referuara nga ana e oficerit të policisë gjyqësore janë referuar në mënyrë të cunguar me qëllim lehtësimin e pozitës proceduriale të shtetasit Rexhep Rraja”, thotë Prokuroria e Krujës.
Prokuroria thotë më pas se ka dy prova të forta ndaj Rexhep Rrajas, të konfirmuara edhe gjatë rimarrjes në pyetje të Xhisiela Malokut më 23 korrik 2018. Gjatë kësaj dëshmie, ajo thotë se më 19 korrik është marrë vazhdimisht në telefon nga Rexhep Maloku dhe më pas janë takuar tek Hotel Boçi në rrugën e Rinasit.
Këtu, Xhisiela thotë se është kërcënuar me armë nga djali i deputetit, i cili i ka thyer edhe telefonin, e tipit iPhone. Prokuroria thotë se konfirmohet përmes qelizave telefonike dëshmia e vajzës se është marrë vazhdimisht në telefon atë ditë, e po ashtu edhe deklarata se autori i ka thyer telefonin. Si provë për këtë, prokuroria thotë se ka telefonin në fjalë.
Prokuroria deklaron se kërcënimet me fjalë ndaj Xhisielës kanë zgjatur rreth 15 minuta.
“Nuk do të të vras! Do të të plagos. Dua që të vuash, jo të vdesësh direkt”, i ka thënë Rexhepi Xhisielës në kërcënim e sipër.
Debati, sipas dëshmisë së viktimës ka nisur pasi asaj i ka mbërritur në telefon një mesazh nga shoqja e saj, shtetësja S.Z. Pikërisht në këtë moment, dyshohet se Rexhepi e ka goditur me shkelma dhe dhunuar, madje duke i djegur edhe cigaren në kofshën e djathtë.
Dhuna konfirmohet edhe në aktin mjeko-ligjor të 27 korrikut, ku thuhet se viktima ka shenja dhune në shpatullën e djathtë, në pjesën anësore të kofshës së djathtën dhe në pulpë e kërcirin e këmbës së majtë.
Ekspertiza thotë se të nxirat në shpatullën e djathtë dhe në pulpën dhe kërcirin e këmbës së majtë janë shkaktuar nga një mjet i fortë, ndërsa në këmbën e djathtë deklaron se shenjat janë të ngjashme me ato të shkaktuara nga faktorë termikë, siç mund të jetë cigarja.
Për dhunën dhe shenjat në trup, prokuroria thotë se e dëmtuara nuk ka vënë në dijeni as të motrën, as mamanë dhe as rrethin shoqëror të saj. Xhisiela thotë në dëshminë e saj fillestare se për dhunën kanë dijeni edhe shoqet e saj, por nga të pyetura nga prokuroria, dy prej tyre, shtetaset me inicialet E.S. dhe S.Z thonë se ishin në dijeni të konfliktualitetit mes Xhisielës dhe Rexhepit, por jo për ushtrimin e dhunës nga ky i fundit.
Prokuroria zbardh edhe një episod që ka ndodhur në fillim të vitit 2017. Sipas prokurorisë, në këtë ditë, në rrugën e Qafë-Shtamës Rexhep Rraja është konfliktuar me Xhisiela Malokun dhe motrën e saj, Anida Maloku. Kjo e fundit, nisur nga toni dhe gjuha e përdorur nga Rexhepi ka telefonuar menjëherë policinë.
Para policisë, Rexhep Maloku dëshmon se zënka ka nisur për një parakalim dhe jo për shkaqe të tjera.
“Ishte një automjet që unë nuk e njihja në Rrugën e Qafë-Shtamës. Bënte manovrime në rrugë duke më rrezikuar mua jetën. Ngaqë nuk e njoha automjetin, debatova nga automjeti në automjet dhe pashë që në timon ishte Anida Maloku bashkë me të motrën, Xhisiela Malokun. Pasi vajzat kishin njoftuar policinë lidhur me debatin për rrugën, aty erdhi policia dhe pasi na shoqëroi në polici, kemi nënshkruar këtë deklaratën e pajtimit”, pretendon ai.
Por, vetë Xhisiela e rrëzon këtë pretendim të ish të dashurit të saj.
“Nuk është e vërtetë që jemi ngatërruar për punë makinash, por e vërteta qëndron ndryshe. Mua më ka marrë në telefon Rexhepi dhe më ka pyetur se ku je. Unë i jam përgjigjur se jam në Qafë-Shtamë me motren. Ai filloi të më bërtiste në telefon dhe ai ka ardhur me makinën e tij tip Audi A6 me targa AA666PG, i cili na ka ndalur në rrugë dhe u konfliktuam me fjalë. Motra ime u frikësua dhe ka thirrur policinë në telefon duke qenë se Rexhepi komunikonte me tone të larta dhe jemi shtyrë me njëri-tjetrin. Policia erdhi dhe këtë deklaratë (deklaratën e pajtimit) unë e kam nënshkruar me vullnetin tim të lirë, por nuk jam në dijeni të deklaratës së lëshuar nga Rexhep Rraja me të cilën u njoha sot”, deklaron ajo.
Xhisiela ka deklaruar në dëshminë e saj se Rexhepi nuk e telefononte me numrin e vet. Ai ose e merrte me numër anonim, ose me numrin e të afërmve të tij, kryesisht të shtetasit Ramazan Rraja, i përmendur nga ish-oficeri Emiljano Nuhu si njëri prej personave që e kanë kërcënuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




