Epidemiologu Ilir Alimehmeti bën apel për fokusim të luftës për mbrojtjen nga koronavirusi tek tre kategori të popullatës, të moshuarit, pacientët kronikë dhe të pavaksinuarit të cilët rrezikojnë të mbipopullojnë spitalet në fillim të këtij vitit me qarkullimin e variantit Omicron. Sipas tij, fushata e vaksinimit duhet të bëhet derë më derë njësoj si fushata politike.
Kur kanë kaluar më shumë se 9 muaj kur nisi fushata e vaksinimit për popullatën 70 vjeç e lart, për pacientët që kanë kryer dy dozat e vaksinës nevojitet urgjentisht të kryejnë të tretën.
Këtu futen kryesisht pacientët e moshës së tretë që kanë aplikuar vaksinat kineze.
Në një prononcim për Gazetasi.al, epidemiologu Ilir Alimehmeti, thotë se për vaksinën Sinovax, autoritetet kineze treguan se efikasiteti është jo më shumë se 2-3 muaj dhe kjo është arsyeja pse më vonë OBSH miratoi dozat e treta në distancat 3-4 muaj dhe jo 6 muaj.
“6 muaj janë shumë për Coronavax dhe ne po vuajmë këtë vendim, sepse doza e tretë duhet të ishte bërë më herët.
Covid është një virus respirator dhe vaksinat me efekt të shkurtër bëhen historikisht përpara vjeshtës, jo para verës, njësoj siç bëjmë me vaksinën e gripit”, thotë Alimehmeti.
Sipas tij, 40 përqind e pacientëve që kanë kryer dy dozat e vaksinës që në pranverë, nuk janë të imunizuar.
Strategji e re vaksinimi, dozë e tretë për të moshuarit
Epidemiologu klinik Ilr Alimehmeti thotë se me qarkullimin e variantit të ri të Covid 19, Omicron, në fillim të këtij viti, duhet të planifikohet një fushatë vaksinimi derë më derë, njësoj si fushata politike, për të bindur hezituesit që kanë refuzuar deri më tani të vaksinohen, të cilët janë një përqindje jo pak e vogël në popullatë.
Sipas tij, lufta ballore që po aplikohet sot nga qeveria nuk po fokusohet tek kategoritë prioritare, siç janë të moshuarit, pacientët kronikë dhe të pavaksinuarit.
Doktor Alimehmeti thotë se strategjia aktuale e vaksinimit e cila ka në fokus të gjitha grupmoshat, ka hequr mundësinë e efektit më të madh që ka vaksina tek grupet prioritare.
“Po të shohim se kush vdes në spital, janë njerëz që ose nuk e kanë kaluar covidin, ose janë të pavaksinuar dhe janë afro 90 përqind e viktimave, ose janë të vjetër me sëmundje të tjera, ndaj tek këto kategori duhet të fokusohemi, sepse eliminojmë 9 vdekje ndër 10”, thotë Alimehmeti.
Sipas tij, mosha e tretë dhe të sëmurët kronikë që kanë aplikuar kryesisht vaksinën kineze, duhet të kryejnë sa më shpejt dozën e tretë e cila duhet të jetë patjetër Pfizer për të pasur mbrojtje më të lartë, sikurse po vepron Turqia, tek e cila kemi huazuar strategjinë e vaksinimit.
“Turqia ka nisur që më 1 korrik aplikimin e dozës së tretë Pfizer ndaj perosnave mbi 50 vjeç të vaksinuar me Coronavax dhe OBSH e rekomandon fort këtë.
100 mijë vaksina të bëra në persona të moshuar, të sëmurë apo që s’e kanë kaluar sëmundjen zbrazin spitalet, ndërsa 100 mijë vaksina që aplikohen tek të rinjtë nuk i zbrasin spitalet”, thotë epidemiologu Ilir Alimehmeti.
Doktor Alimehmeti rekomandon që autoritetet shëndetësore të punojnë në mënyrë kapilare, derë më derë, që megjithëse është përfolur nuk ka ndodhur deri më tani.
“Duhet të organizohemi me studentët, me dëgjesa e zyra të vogla dhe personazhe që kanë rol të rëndësishëm për të bindur hezituesit që të vaksinohen siç janë drejtuesit e kompanive, personazhet publike apo dhe në formë monetare kryesisht për kategori vulnerabël siç janë komuniteti rom”, thotë epidemiologu Ilir Alimehmeti.
Ai thekson se strategjia e re duhet të ndryshojë qasjen ndaj kërkesës për vaksinimin edhe të personave që kanë fituar imunitetin natyror prej infektimit nga virusi Covid-19.
“Të detyrosh të vaksinosh dhe njerëz që e kanë kaluar Covid më parë dhe të mos njohësh këtë pjesë të shkencës është një pikë ku kapen personat.
Fakt është që ekzistotn mundësia e riinfektimit, por mbrojtja është më e madhe se e vaksinës. Fatmirësisht ndaj formave të rënda dhe vdekjes është 100 përqind efektiviteti i mbrojtjes natyrore”, thotë epidemiologu.
Sipas tij, në fokus të strategjisë së re të vaksinimit duhet të jenë dhe ofrimi i testeve të shpejta. Alimehmeti thotë se liberalizimi i testimit do t’i japë mundësi qytetarëve të blejnë testet e shpejta RAPID-TEST, kudo, në farmaci, markete sepse në këtë mënyrë fuqizohen njerëzit, mbrojnë familjarët e shoqërinë.
Doktor Alimehmeti thotë se kjo gjë po funksionon në Britaninë e Madhe ku testet e shpejta ofrohen falas, apo në Gjermani që kushtojnë 80 cent, por është e pajustifikueshme që në Shqipëri të blihen me 15-20 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje