Bota

Epstein i pagoi 500.000 $ Virginia Giuffre për të tërhequr akuzat kundër Princit Andrew

Marrëveshja konfidenciale, e nënshkruar në vitin 2009, sipas së cilës Jeffrey Epstein i pagoi 500,000 dollarë akuzueses së Princit Andrew, Virginia Giuffre, u publikua nga gjykatat amerikane për të hedhur poshtë akuzat për abuzim seksual të dyshuar kur ajo ishte e mitur.

Avokatët mbrojtës për fëmijën e tretë të Mbretëreshës Elizabeth II, shpresojnë se dokumenti do të jetë i mjaftueshëm për të pushuar çështjen kundër tij.

Marrëveshja jashtë gjykatës, e cila ka mbetur e fshehtë deri më tani, përcakton se çdo veprim ligjor i Giuffre kundër Epstein dhe “të pandehurve të tjerë të mundshëm” në komplotin e dyshuar të trafikimit me natyrë seksuale të fëmijëve të hetuar nga një gjykatë e Nju Jorkut, do të hidhet poshtë.

Giuffre, megjithatë, paditi Princin Andrew në Gjykatën e Nju Jorkut për të kërkuar kompensim. (Gjyqtari përgjegjës për çështjen nuk e pranoi argumentin mbrojtës të Andreë-s, se Giuffre, duke qenë me vendbanim në Australi, nuk do të kishte të drejtë të shkonte në një gjykatë të Nju Jorkut.)

Gruaja akuzon Dukën e Jorkut se e ka abuzuar tre herë kur vajza ishte e mitur, në fillim të viteve 2000: është hera e parë që Andrew përfundon në qendër të një procesi për dëmshpërblim. Këtë të martë, gjyqtari do të vendosë nëse do të nisë gjyqi ndaj djalit të Mbretëreshës së Anglisë.

Por skandali – përtej anës gjyqësore – mbetet i madh në Britaninë e Madhe, ku pas dënimit të Ghislaine Maxwell – partneres së Epsteinit, që bleu qindra vajza për të dhe miqtë e tij për t’i abuzuar ato –  vë në dyshim pozicionin e Princit. Nëse Maxwell është fajtore për blerjen e vajzave të mitura për Espstein dhe miqtë e tij – ky është arsyetimi – ku janë burrat që përfituan nga abuzimi seksual?

Midis tyre është dhe Princi Andrew, djali i tretë i Mbretëreshës Elizabeth. Viti i tij fillon me një kthesë. Avokatët e tij pretendojnë se prokuroria kërkoi “dokumente private dhe të parëndësishme të krijuara për të zbuluar prova të pranueshme” dhe kjo është e qartë se pas gjykimit për Ghislaine Maxwell, situata për Dukën e Jorkut bëhet e ndërlikuar.

Në një intervistë me BBC në vitin 2019, Duka u mbrojt duke theksuar se përshkrimi i Giuffre për të nuk kishte kuptim. Princi pretendon se nuk është më në gjendje të djersijë (një nga provat e të akuzuarës ndaj tij) për shkak të një traume që pësoi në luftën në Ishujt Falklands.

Prandaj, ai nuk mund të ishte njeriu që ngacmoi seksualisht Giuffre. Megjithatë, duket qartë se fjalët nuk mjaftojnë për gjyqtarët dhe avokatët. Duhen prova të gjendjes, prova që Duka tani thotë se nuk i ka.

Mbretëria e Bashkuar habitet. A ka mundësi që ai të jetë fajtor? Në fakt, fotografitë e Maxwell në fronin e Elizabeth, imazhet e gruas me Jeffrey Epstein në Balmoral, portretet e atij që Princi Andrew e ka quajtur gjithmonë një nga miqtë e tij më të mirë, marrin një kuptim tjetër.

Është e njëjta gjykatë në Manhatan, e cila dekretoi fajësinë e Ghislaine që princit do t’i duhet t’i përgjigjet akuzave të Giuffre. Emri i Andrew-s nuk u përmend gjatë seancave dhe Giuffre nuk u thirr për të dëshmuar gjatë gjyqit.

Pastaj është pyetja e fotos që portretizon Andrew-n, duke buzëqeshur përkrah Giuffre në rezidencën në Londër të Ghislaine, ku Duka vendos krahun rreth belit të saj dhe Ghislaine shikon çiftin e kënaqur.

Andrew, i larguar nga Windsors dhe i tërhequr plotësisht nga jeta publike, kishte theksuar se as që e mbante mend të kishte takuar Virxhinian. Ai e bëri këtë me arrogancën e privilegjit të atyre që nuk kanë nevojë të vënë re detaje të tilla. Një qëndrim që ndoshta do ta paguajë shtrenjtë tani.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë