Mjedis

Ndryshimet klimatike kanë ndryshuar dhe Krishtlindjet

Edhe pse Krishtlindjet festohen në një ditë, vende të ndryshme e festojnë në mot të ndryshëm. Por, ndryshimi i klimës po kërcënon si vendet e mrekullive të dimrit, ashtu edhe traditat më të ngrohta të Krishtlindjeve.

Në Holandë, një traditë popullore rreth Krishtlindjeve është të vishni patina dhe të shkoni në pellgjet, kanalet dhe lumenjtë e ngrirë të vendit. Kur ngrin, të rinj dhe të moshuar patinojnë në akull. Siç thonë Holandezët “patinazhi është në gjakun tonë”.

Patinatorë të shumtë bënin garën në Elfstedentocht, që përkthehet në “turin e njëmbëdhjetë qyteteve”, një garë ikonë e patinazhit në akull që mbulon 200 km që kalon nëpër 11 qytete në provincën veriore Friesland. Tani, ndryshimet klimatike po rrezikojnë këtë traditë të dashur të dimrit.

Dhe nuk janë vetëm traditat e festave të motit të ftohtë që po shuhen ngadalë. Në të gjithë botën moti ekstrem i shkaktuar nga ndryshimet klimatike dhe temperaturat në rritje po ndryshojnë traditat e dashura të Krishtlindjeve. BBC ka folur me tre të rinj nga Filipinet, Puerto Riko dhe Brazili, të cilët ndajnë historitë e tyre se si klima që ndryshon me shpejtësi po i transformon Krishtlindjet ku jetojnë.

Filipinet krenohet me sezonin më të hershëm dhe më të gjatë të Krishtlindjeve në botë.

Mitzi Jonelle, aktiviste 22-vjecare e klimës thotë se periudha e Krishtlindjes është një kohë plot ngjyra dhe krijuese. Njerëzit bëjnë dekorimet e tyre për Krishtlindje, duke përfshirë fenerë në formë ylli, të quajtur parol. Ata i varin këta fenerë të shndritshëm në dritare dhe rrugë për të gjithë sezonin festiv, nga shtatori deri në janar.

“Fenerët janë diçka që familjet krijojnë së bashku duke përdorur plastikë shumëngjyrëshe, të ricikluar dhe copa të vogla druri”, thotë Jonelle.

“Në mëngjesin e Krishtlindjeve ne bëjmë gjithmonë foto përpara kishave pranë vendit ku u rrit mamaja ime”, thotë ajo. “Mamaja dhe gjyshi im gjithashtu bënin fotografi para këtyre kishave”.

Por pas 50 vitesh, ky vend i veçantë për familjen Jonelle nuk ekziston më për shkak të rritjes së nivelit të detit. “Është e frikshme pasi nuk është aq larg”, thotë ajo.

Filipinet janë vendi më i cenueshëm në botë ndaj fatkeqësive të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Vendi goditet mesatarisht nga më shumë se 20 tajfunë çdo vit, të cilët shkaktojnë përmbytje të rënda dhe shkatërrime në shkallë të gjerë. Këto ndikime të rënda klimatike tashmë po ndryshojnë përvojën e Krishtlindjeve të filipinasve.

Në nëntor të vitit të kaluar, super tajfuni Goni, stuhia më e fuqishme e vitit, goditi Filipinet me 225 km/h.

“Njerëzit u bllokuan në çati dhe të gjitha rrugët u përmbytën”, kujton Jonelle.

“Pak ditë para Krishtlindjeve, ne ende po ndihmonim në pastrimin e baltës që kishte përmbytur shtëpitë”.

Fryma e komunitetit ishte e pabesueshme atë vit, thotë ajo. Njerëzit sollën ushqim dhe dhurata në qendrat e evakuimit.

“Krishtlindja është një festë e asaj që kemi kaluar atë vit, së bashku si komunitet”, thotë ajo.

Jonelle shqetësohet se si do të jenë Krishtlindjet në të ardhmen nëse stuhitë dhe tajfunet bëhen më të shpeshta.

“Është shumë e frikshme sepse zona ku jetojnë të afërmit e mi përmbytet shumë lehtë”, thotë ajo. Përmbytjet tashmë do të thotë se shumë familje nuk mund të ndezin dritat e tyre të Krishtlindjeve.

“Ne po luftojmë që traditat tona të Krishtlindjeve të vazhdojnë dhe të ruajmë lidhjet tona me familjen dhe komunitetin”, thotë ajo.

“Portorikanët i duan Krishtlindjet”, thotë 19-vjeçari Salvador Gómez-Colón. “Krishtlindja është një spektakël. Është festa më e madhe në Porto Riko”.

Gjatë periudhës festive, familjet drejtohen në malet përreth kryeqytetit San Juan për t’u mbledhur në kamionët ushqimorë, të quajtur chinchorros. Atje hanë mish derri dhe merluc.

“Është diçka shumë gjithëpërfshirëse ku takohesh me fqinjët dhe flisni me të huajt”, thotë Gómez-Colón.

Një nga traditat e tij të preferuara të Krishtlindjeve është parranda: këndimi i këngëve në rrugë dhe jashtë shtëpive të njerëzve. “Është shumë e gjallë,” thotë ai. “Këndojmë këngë folklorike me daulle”.

Kjo traditë vazhdoi edhe gjatë ditëve më të errëta të Porto Rikos, pasi vendi u godit nga Uragani Maria e kategorisë 5 në shtator 2017.

Uragani Maria ishte më i madh se çdo stuhi që goditi vendin që nga viti 1956. Një stuhi e tillë fuqie ka pesë herë më shumë gjasa të godasë tani sesa në vitet 1950 për shkak të ndryshimeve klimatike, zbuloi një studim i vitit 2019.

“Unë kurrë nuk jam ndjerë aq i prekshëm gjatë gjithë jetës sime”, thotë Gómez-Colón.

“Unë isha strehuar në një dhomë bodrumi me 10 të tjerë dhe humba komunikimin me babin dhe miqtë. Pashë makina duke u ngritur dhe palma që fluturonin përreth”.

Pavarësisht situatës së tmerrshme, portorikanët arritën të festonin Krishtlindjet atë vit.

Në janar, kur ishulli ishte ende pa energji, njerëzit u mblodhën për të festuar Fiestas de la Calle San Sebastián, festivali më i madh vjetor i Porto Rikos që shënon fundin e sezonit të festave. “Kishte muzikë live dhe shumë shfaqje. Ishte një shpërthim”, thotë ai.

Gjatë periudhës së Krishtlindjes, pjesa më e madhe e Porto Rikos ishte ende në errësirë ​​të plotë.

Për të ndihmuar njerëzit të rindërtojnë jetën e tyre pas Marias, Gómez-Colón filloi një fushatë croëdfunding të quajtur “Drita dhe Shpresa për Puerto Rikon”. Gjatë 10 muajve, ai mblodhi pothuajse 170,000 dollarë për të mbështetur 3,500 familje në Porto Riko dhe rregulloi problemin me energjinë.

“Babagjyshi nuk mund të vinte në shtëpi atë vit, por dritat ishin dhurata më vete”, thotë ai.

“Kanë kaluar katër vjet që nga Maria, por për shumë prej nesh duket sikur ishte dje”, thotë ai.

“Mund të riparohen urat dhe tabelat e rrugëve, por nuk mund të riparohet dëmi që i është bërë mendjes së njerëzve”.

Daniel Holanda feston Krishtlindjet çdo vit në shtëpinë e gjyshes së tij në qytetin e Anápolis në shtetin qendror të Brazilit, Goias.

“Çdo vit ne mblidhemi më 24 dhjetor në shtëpinë e gjyshes sime. Unë kam shtatë xhaxhallarë dhe secili sjell një pjatë për darkë. Ne hamë gjelin e detit dhe oriz”, thotë 19-vjeçari.

Krishtlindjet nisin herët në Brazil, më 24 nëntor, kur familjet mblidhen për të dekoruar pemën. Disa vite më parë, shtëpia e familjes së Holanda-s u përmbyt teksa ata po festonin këtë traditë festive. “Duhej të ndalonim festën dhe të hiqnim ujin”, thotë ai.

Përmbytjet janë të zakonshme në shtetin e Holanda-s, Goias, dhe moti i tillë ekstrem po ndryshon traditat e Krishtlindjeve në rajon.

“Krishtlindja ka ndryshuar shumë që kur isha fëmijë. Dikur luanim shumë lojëra të ndryshme jashtë. Tani nuk mund ta bëjmë më për shkak të përmbytjeve. Sot fëmijët nuk mund t’i shijojnë Krishtlindjet në të njëjtën mënyrë pasi duhet të jenë gjithmonë të kujdesshëm dhe të përgatitur që diçka do të ndodhë”.

Goias është shtëpia e Cerrados, një savanë e madhe e pyllëzuar që përmban mijëra specie të rralla, duke përfshirë jaguarin dhe milingonën gjigante. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se kjo pikë e nxehtë e biodiversitetit mund të shembet në më pak se 30 vjet nëse temperaturat vazhdojnë të rriten dhe bizneset e mëdha bujqësore i shndërrojnë me shpejtësi pyjet në plantacione soje. Krahas përmbytjeve, rajoni ka vuajtur nga thatësira ekstreme vitet e fundit.

Darka e Krishtlindjeve është shpesh e ndezur me qirinj pasi përmbytjet shkaktojnë ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike në këtë periudhë të vitit.

“Ne e dekoronim shtëpinë me dritat e Krishtlindjeve tani nuk mund ta bëjmë më. Duhet të përshtatemi dhe të improvizojmë”, thotë ai.

Zjarret janë gjithashtu një problem i madh në Goias. Muaj pas sezonit të pikut të zjarrit midis qershorit dhe shtatorit, njerëzit ende mund t’i ndjejnë efektet.

“Ne mund të nuhasim squfurin nga shtëpitë tona”, thotë Holanda. “Ndonjëherë është e vështirë të marrësh frymë”.

Pavarësisht sfidave, njerëzit gjejnë një mënyrë për të mbledhur dhe për të dhuruar në kohën e Krishtlindjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë