Shendet

Omicron në Shqipëri, dy rastet e konstatuara brenda një familjeje, dyshohet se virusi erdhi nga Gjermania

Afro 230 analiza testesh për dyshime të prezencës së variantit Omicron në vendin tonë, prej të cilave dy rezultuan pozitive: ky është bilanci i rezultateve prej datës 28 nëntor e deri më sot nga Instituti i Shëndetit publik.

Burime për Gazetasi.al thanë se dy personat e infektuar me variantin e ri Omicron janë pjesëtarë të një familjeje dhe mendohet që virusi të jetë marrë nga i afërmi i tyre në Gjermani.

“Me shumë gjasë prezenca e Omicron në Shqipëri mendohet të ketë qenë në ditët e festave të Nëntorit. Personi i cili dyshohej se ishte i prekur me variantin Omicron sapo ishte kthyer nga Gjermania. Pra, për ta saktësuar: nga 230 raste të dyshimta si pozitive që u dërguan në Gjermani para disa javësh, dy prej tyre rezultuan me variantin omicron. Pas hetimit epidemiologjik të këtyre dy rasteve, u pa se kishin lidhje me një person (familjar) të ardhur nga jashtë, (nga Gjermania), që në datën 28 nëntor. Ky person më vonë u testua, por rezultoi negativ për Covid, ndoshta mund të jetë negativizuar", thanë burimet për Gazetasi.al.

Të pyetur për gjendjen e tyre shëndetësore, burimet thanë se ata kishin shfaqur simptoma të lehta të virusit dhe ishin mbajtur nën mbikëqyrjen e mjekut të familjes. Por ndërkohë, mjekë epidemiologë në vend konfirmojnë se përsëri, dy rastet e izoluara nuk përcaktojnë situatën epidemiologjike në Shqipëri ku varianti Delta është mbizotërues.

“Në janar do të kemi shtim të qarkullimit të variantit Omicron e për pasojë dhe rritje të numrit të të infektuarve në vendin tonë nga varianti i ri”, thanë burimet për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë