Partia Demokratike tha se do të kallëzojë penalisht shtetasin Fatjon Dautin, që sipas njoftimit të shpërndarë prej saj është personi që shoqëronte Sali Berishën dhe hapi me forcë derën e sallës ku Berisha mbajti konferencën për media.
“Pas analizimit të pamjeve filmike rezulton se i urdhëruar nga deputeti Flamur Noka, shtetasi Fatjon Dauti, person me precedentë të rëndë kriminal, që shoqëronte Sali Berishën, ka dhunuar ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike”, thuhet në deklaratë.
Sipas PD, Fatjon Dautaj është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.
Ndërkohë, në një konferencë për shtyp, Lulzim Basha akuzoi Sali Berishën se është bërë tub oksigjeni për Edi Ramën dhe po pengon hetimin e incineratorëve.
“Në vend të merremi me vjedhjen e shekullit, e të shohim në pranga të gjithë ata anëtarë të kabinetit, prej Sali Berishës sot po merremi sërish me Sali Berishën. Nga dëshpërimi për dështimin e një lëvizje false e personale po zbrazet në dyert e PD-së i shoqëruar nga njerëz me precedentë penalë. Hyrja e dhunshme në zyra ekspozon dëshpërimin e Sali Berishës. PD i ka të gjitha mundësitë të mbrojë integritetin e institucionit nëse dikush mund ta kërcënojë”, tha Basha.
Po në këtë konferencë, Lulzim Basha njoftoi dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të dy padive.
“Që fondet e tërmetit të vidheshin siç janë vjedhur, Rama ka bërë një sërë manovrash me anë të cilat kanë mundësuar që fondet që duhet të shkonin në drejtim të pasojave të tërmetit të shkojnë në duart e pak njerëzve dhe të përbëjnë një aferë të tmerrshme korruptive. Gjithçka është e dokumentuar nga OJF se si janë keqpërdorur, por GJK ka gjykuar se pala tjetër nuk legjitimojë si palë, prandaj brenda dhjetorit, do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese e plotësuar me fakte shtesë sa i takon korrupsionit me tenderat e rindërtimit. Po brenda dhjetorit do të dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin për bashkëqeverisjen”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.