Politike

“Ballkani i Hapur” – Samiti i Tiranës shmang anën politike: Përqëndrohemi te qytetarët

Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev përqëndruan fjalën e tyre në takimin e Tiranës të Ballkanit të Hapur te dobitë që sjell nisma për qytetarët, duke lënë në plan të dytë mbrojtjen e kësaj nisme përmes anës politike të saj.

Pesë marrëveshjet e nënshkruara, që hyjnë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm janë konceptuar si paradhoma e implementimit të plotë të katër shtyllave të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

Marrëveshja e para lidhet me heqjen e lejeve të punës dhe njësimi i kërkesave për qytetarët e të trija vendeve që kërkojnë punësim. Objektivi i vendosur nga Rama, Vuçiç dhe Zaev është shndërrimi i rajonit në një mjedis më tërheqës për investitorët e huaj.

“Ne po bëjmë një përparim real për heqjen e lejeve të punës, duke njësuar kërkesat tona për qytetarët që kërkojnë punësim. Duhet të thellojmë bashkëpunimin për të tërhequr financues global në rajonin tonë, duke i ofruar atyre një hapësirë të re. Të kalojmë nga klisheje e konkurrencës, duke krijuar një treg të përbashkët europian. Bazuar në këto marrëveshje dhe bazuar në ato që do të bëjmë shumë shpejt askush nuk do të përjetojë më pritje të gjata në kufi dhe gjithçka do të ecë mirë”, deklaroi Rama.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç solli një shembull, që sipas tij, provon se si burokracitë shtetërore bëhen pengesë që sipërmarrja të gjejë krahun e vet të punës.

“Për lejet e punës, si shembull fabrikat që në kemi kishin nevojë për inxhinierë që të bënin disa trajnime me punëtorët tanë në Maqedoninë e Veriut dhe ishte shumë e vështirë të nxirreshin lejet e punës. Tani ne nuk do na duhet të bëjmë asgjë, sepse ata janë të mirëpritur në Serbi, sikurse edhe punonjësit tanë në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Efekti i parë i kësaj marrëveshjeje, sipas Presidentit serb është shndërrimi i hapësirës së tre vendeve në një hapësirë më joshëse për investitorët e huaj, perëndimorë dhe lindorë.

“Ne zgjerojmë tregun e punës dhe tërheqim më shumë biznese nga perëndimi, apo lindja sepse do t’u ofrojmë një krah pune ku njerëzit të mund të lëvizin lirshëm. Ky është një elemend i rëndësishëm sa i përket thithjes së investimeve dhe kjo është baza e një zhvillimi më të mirë ekonomik të të tre vendeve tona në të ardhmen”, tha Vuçiç.

Propozimi i radhës i Presidentit serb ishte lehtësimi i kostove të jetesës për qytetarët që lëvizin për efekt punësimi përmes subvencionimit të faturave të shërbimeve që u ofrohen në hotele, dyqane dhe restorante.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, nisma kalon nga premtimet te rezultatet konkrete. Ai la porosi për pasaardhësin e tij në krye të Qeverisë në Shkup që të vazhdojë ta mbështesë “Ballkanin e Hapur”.

“Tani kemi rezultate konkrete për të treguar. Kjo do të jetë edhe pjesëmarrja ime e fundit e drejtpërdrejt në këtë mision, të paktën për 1 vit. Mesazhi im për të gjithë është: ruajeni ‘Ballkanin e Hapur’, sepse bëhet në të mirë të qytetarëve tanë. Do të na çojë drejt të ardhshmes së përbashkët në BE”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë