Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev firmosën në Tiranë pesë marrëveshje në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur”, përmes të cilave synohet lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve dhe shërbimeve në hapësirën mes tre vendeve.
Rama tha se këto lehtësime do t’i japin një tjetër hov gjallërimit të biznesit në të trija vendet.
“Numri i njerëzve, i ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha që tashmë punojnë mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë do të rritet më tej. Falënderoj Aleksandrin dhe Zoranin dhe ekspertët që janë përfshirë”, deklaroi Rama.
Sipas Kryeminisrirt shqiptar, Ballkani i Hapur shërben për të injektuar dinamizëm në tregun rajonal për t’i kthyer në pika të vetme ndalese.
Synimi i Ballkanit të Hapur, sipas Ramës, Vuçiç dhe Zaev mbetet i njëjtë: zbatimi i katër lirive të lëvizjes.
“Me këto marrëveshje, 2022-shi do të jetë një epokë e re”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se ata që nuk e duan Ballkanin e Hapur, duan diçka tjetër. Ndërsa bëri thirrje që kush e do procesin e Berlinit duhet ti bashkohet kësaj tryezë.
“Ne nuk do të rrimë në vend, ne nuk do të fshihemi, mbetja në vend duke folur për retorikën e procesit të Berlinit për tregun rajonal. Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të të dyjave.
Ata që duan që procesi i Berlinit të ecë përpara duhet të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur. Ai që do tregun e përbashkët rajonal duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur”, tha ai.
Sipas Ramës, Ballkani i Hapur ka të bëjë me punët dhe marrëveshjet që po bëjmë sot tregojnë vetë këtë.
“Është bindja ime se të gjithë ata që kundërshtojnë Ballkanin e Hapur, e dinë të gjithë nuk është shkencë bërthamore. Kur thonë që nuk duan Ballkanin e hapur, por duam procesin e Berlinit, sinqerisht duan diçka tjetër.
Sepse nëse duan procesin e Berlinit duhet të vijnë me vrap dhe të ulen rreth kësaj tryeze, por nëse duan gjëra të tjera ka tryeza të tjera”, tha Rama.
Ndërkohë Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç duke folur në takimin për nismën “Ballkani i Hapur” në Tiranë, ka thënë se ajo është gjithëpërfshirëse dhe ka theksuar se shtetet që nuk janë bërë pjesë ende e saj, do vijë dita që ta kuptojnë dhe do e pranojnë sipas tij.
“Më ka ardhur në majë të hundës që duhet të japim justifikime përherë për hiçgjë”, u shpreh ndër të tjera Vuçiç
“Ky është proces gjithëpërfshirës, për gjtihë ata që duan të bëhen pjesë, më ka ardhur pak në majë të hundës që na duhet të japim justifikme ngahera për hiçgjë, pse duhet ta bëjmë?
A thua se kemi bërë gjë të gabuar e duhet tu kërkojmë ndjese atye që s’janë pjesë?
Ne s’kemi më aryse pse të kërkojmë ndjesë, t’u kërkojmë ndjesë atyre që nuk duan të jenë pjesë të paktën deri sot? Por ama do jetë shumë e vështirë tu shpjegojnë qytetarëve të tyre pse s’janë pjesë e këtyre iniciativave. Kur kjo gjë të jetë mëse e qartë atëherë ata do bëhen pjesë, e do krijojë mundësi e shanse të vërteta”, tha Vuçiç.
Kryeministri në largim i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se kjo do të jetë hera e fundit që ai merr pjesë në këtë samit. Në fjalën tij nga Tirana, ai përçoi mesazhet se kjo nismë duhet të ruhet dhe të zhvillohet edhe më tej.
Sipas Zaev nisma “Ballkani i Hapur” është e vetmja rrugë për të lënë pas të shkuarën dhe për të ecur drejt të ardhmes.
“Nuk është e lehtë në BE por as në Ballkan, por ne kemi hapa të dukshëm për të treguar. Kjo do të jetë pjesëmarrja ime e fundit në këtë mision që kemi filluar dhe po e vëmë në zbatim. Gjatë kësaj iniciative ne kemi thënë që është një inicitive e përbashkët mes tre vendeve, por kemi thënë se është e hapur për të gjithë.
Dëshiroj të përçoj një mesazh të gjithëve. Ruani dhe zhvilloni këtë iniciativë sepse kjo është në të mirë të qytetarëve tanë. Ballkani i Hapur është mënyra për të ecur përpara dhe rrugë për në BE. Është rruga për të lënë pas të shkuarën e trazuar dhe për një të ardhme në BE”, tha Zaev.
Sipas tij, me këto marrëveshje ne do të kemi suksese të mëdha. “E para është qasja në tregun e punës. Ne do të kemi një marrëveshje që ka të bëjë me shërbimet. Më pak kohë në kufij, bashkëpunim mes institucioneve.
Ajo që kemi ne është më shumë punë. Për të lidhur të rinjtë e vendeve tona, turizmi mund të na bëjmë që të kemi një ofertë më të mirë në botë.
Me mua sot kemi edhe kryeministrin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut, Dimitër Kovacesvki. Kemi zv/ministra që i kemi mbështetës së kësaj iniciative”, tha Zaev.
Marrëveshjet që u firmosën në Tiranë;
Marrëveshja për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).
Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.