Politike

Rama: S’jam tradhtar! Ballkani i Hapur, e ardhmja e fëmijëve tanë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes përgjigjeve të kthyer ndaj ndjekësve në rrjetet sociale protestën e thirrur nga Sali Berisha kundër Ballkanit të Hapur.

Në një nga këto përgjigje, Rama kujton se ka kërkuar në mes të Beogradit njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke u cilësuar si hero në atë kohë.

“E vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhtar tani, thjesht isha e jam Kryeministri i Shqipërisë; e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër, edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”, thotë Rama në një prej përgjigjeve të kthyera.

Më herët protestën e Berishës e komentoi edhe Taulant Balla.

“Ajo protestë që nuk ka asgjë të përbashkët me politikën e Shqipërisë në rajon dhe me angazhimin në kuadër të BE. Është thirrur për hallin e Sali Berishës dhe aspak për “Ballkanin e Hapur”, e cila është nismë e mbështetur nga SHBA dhe BE. T’i kundërvihesh ndaj kësaj nisme është një linjë kundër SHBA në Shqipëri”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë