Në një kohë kur vendet europiane janë të prekur nga varianti Omicron, në Shqipëri situata epidemiologjike mbetet e qëndrueshme. Gazetasi.al kërkoi informacion nga autoritetet shëndetësore nëse kemi një përgjigje për koonfirmimin e këtij varianti në vend por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Prej dy javësh në vendin tonë numri i infektimeve nuk ka kaluar mbi 350 dhe numri i vdekjeve vijon të jetë i ulët. Por sipas epidemiologut Dritan Ulqinaku varianti i ri mund të ndryshojë situatën. Ai është shprehur se varianti i ri është prezent në vendet europiane dhe në disa prej tyre ka përshpejtuar dominancën e variantit Delta.
“Nisur nga kjo mund të gjendemi shumë shpejtë para një situate të re epidemiologjike pasi shpejtësia e përhapjes së këtij varianti është 2-3 herë më shumë se variantet e tjera”,thotë Ulqinaku.
Numri i pacientëve në spitalet Covid është ende i konsiderueshëm. Në spitale janë të shtruar rreth 128 pacientë dhe prej tyre 12 janë në gjendje të rënduar. Burime të Gazetasi.al tregojnë se në spitale ka edhe të rinj të shtruar në forma të mesme dhe vijon problematika që pacientët shkojnë shumë vonë në spital.
Më tej burimet i thanë Gazetasi.al se edhe tek të rinjtë e shtruar problemi qëndron te mosvaksinimi dhe vonesa në trajtim. Pacienti më i ri është 19 vjeç.
Nga ana tjetër numrat e ulëta të vaksinimit është një tjetër problem.
Edhe pse ka disa muaj ku vaksinimi është i hapur për personat +18 vjeç, përqindja e vaksinimit vijon të jetë e ulët. Është vaksinuar 38%e popullatës së përgjithshme dhe 45% e popullatës së përgjithshme.
Ndërkaq pavarësisht shifrave të ulta të vaksinimit me dy doza,ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë dozën e tretë për të gjithë popullatën. Qarkullimi i variantit të ri Omicron ka bërë që ekspertët të shikojnë situatën më ndryshe, duke këshilluar më shumë vaksinimin dhe të ndryshojnë qëndrim mbi imunitetin natyral.
Mjeku Alban Ylli ka thënë më herët për Gazetasi.al se edhe në vendet ku imuniteti kolektiv ka qenë në shifrat 80-90% variantet e reja ja kanë dalë të mbizotërojnë.
Studime të ndryshme kanë treguar se bashkë me vaksinimin të rëndësishme janë edhe masat kufizuese, si distancimi social ashtu edhe mbajtja e maskës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje