Kombetarja

Video/ Duka do vendin e dytë në Ligën e Kombeve. Reja: Doja të evitonim Serbinë

Pas hedhjes së shortit të Ligës së Kombeve ka folur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka shpallur si objektiv vendin e dytë në grup. Duka ka evidentuar si problem largësinë gjeografike me vendet ku do të luhen ndeshjet, ndërkohë që shpreson që në qershor stadiumet të jenë të mbushur me tifozë.

“Është një short i pranueshëm, jo negativ për ne. Jemi ndeshur me të tria skuadrat dhe kemi fituar. Objektivi ynë është vendi i dytë, por edhe vendi i parë nuk është i pamundur. Problem është largësia gjeografike dhe fakti që në qershor lojtarët mund të jenë pak të lodhur nga sezoni. Janë ndeshje të mira për trajnerin, që të provojë lojtarë të rinj dhe besoj se do të merren të paktën 3 elementë nga Kombëtarja U-21”, – ka thënë Duka mes të tjerash.

Reja: Doja të evitonim Serbinë
Edhe trajneri Edi Reja është dukur optimist pas shortit të Ligës së Kombeve. Ai ka thënë mes të tjerash se donte të evitonte Serbinë, ndërsa objektivi i italianit është që Shqipëria të mos zbresë një ligë më poshtë.

“Doja që të evitonim Serbinë, sepse është një skuadër e fortë. Edhe Rusia është e fortë, ndërsa Islandën nuk e njohim. Të shohim si do shkojnë gjërat, objektivi është që të mos biem nga kjo ligë që jemi. Kemi transferta të gjata dhe uroj që të na ndihmojë kalendari, të mos i kemi njëra pas tjetrës. Shorti është i mirë, sepse në çdo rast do të na binte një skuadër e fortë”, – është shprehur Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë