Politike

Rama: Krenar për incineratorët! Lefter Koka të përgjigjet individualisht

Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë arrestimin e Lefter Kokës mbi akuzën e korrupsionit në lidhje me koncesionin e incineratorëve.

Kreu i Qeverisë iu përgjigj një prej komenteve të ndjekësve në Facebook, për t’i thënë se përgjegjësia para drejtësisë nuk mund të jetë politike, partiake, apo kolektive.

“Çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike, as çështje partiake, as çështje kolektive, po çështje individuale. Ne nuk e kemi udhëhequr dhe nuk e mbështesim pa kushte Reformën në Drejtësi, si palë politike, po si forcë udhëheqëse politike e morale e shqiptarëve pa dallim, kështu që për mua e për Partinë Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e ditës së parë në detyrë: Cilido qoftë, pa dallim partie duhet të përballet vetë me drejtësinë dhe cilindo qoftë ndër ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashkë me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor”, shkruan ai.
Rama thotë se është krenar për investimin e bërë me incineratorët.

“Edhe impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve, që i kanë hapur rrugën e shpëtimit afatgjatë nga ndotja e rëndë e plehrave zonës së Elbasanit, Tiranës e Fierit gjithashtu, edhe Reforma në Drejtësi po se po, janë vepra të shumicës sonë qeverisë për të cilat unë jam e do të jem gjithnjë krenar, kështu që euforia baltosëse e atyre që bëjnë politikë me akuza e me moton shpif e shpif se diçka do të mbetet, për arsye të ndalimit dje nga SPAKU të ish-ministrit të Mjedisit, nuk më bën asnjë përshtypje, sepse nga njëra anë investimi në Elbasan eshte aty, në sytë e të gjithëve, e në bazë të kontratës tanimë ai është pronë publike e Bashkisë së Elbasanit, që do të shërbejë për të vazhduar mbrojtjen e zonës nga ndotja”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë