Të paktën deri tani nuk ka asnjë shpresë që për Krishtlindje dhe natën e ndërrimit të viteve, ora policore të mund të zgjatet. Gazetasi.al mësoi se nesër Komiteti Teknik do të dalë publikisht, por të paktën deri tani nuk ka asnjë propozim se ora e kufizimit 6:00 deri në 23:30 të mund të ndryshojë. Madje as nuk është hedhur si ide në tavolinë ndonjë propozim i tillë, i thanë burimet Gazetasi.al
Sipas burimeve konfidenciale, nga mbledhja e nesërme (e enjte) e Komitetit priten më shumë propozime për shtrëngimin e masave rreth mbajtjes së maskës kryesisht në qendrat tregtare dhe ambiente të tjera të mbyllura. Komiteti si përherë pritet t’i bëjë thirrje publikut, të rris vaksinimin dhe ndoshta pritet edhe ndonjë mënyrë kufizuese që mund të detyrojë qytetarët të vaksinohen.
Më herët Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shpjeguar se grumbullimet për festa do të vijojnë sipas rregullave që janë aktualisht. Sipas saj, nëse “duam të gëzojmë e të mblidhemi bashkë për festa… duhet që të gjithë të vijojmë programin e vaksinimit”.
Sipas ekspertëve kurba e infektimeve përgjatë dy javëve të fundit ka ardhur duke u ulur dhe numri i infektimeve nuk ka kaluar mbi 300, ndërkohë edhe shifrat e vdekjeve janë të ulëta.
Por mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero mendon se situata e tanishme na lejon të jemi pak më të lirë këto dy javë në vazhdim. Ai nuk beson se gjatë ditës së festave të mos ketë lirim të masave shtrënguese.
“Po diskutohet një direktivë në Komision Europian, siç kam dëgjuar, që do të jenë të lirë për festat qytetarët, duke respektuar pasaportën e gjelbër vetëm dhe pas festave të ketë kufizime pak a shumë si lockdown për dy javë për të kufizuar transmetimin, ndërkohë i japin një dorë bizneseve në fundvit por dhe qytetareve të festojnë”, shtoi Pipero.
Sipas mjekut duhet të presim ditën e nesërme për të parë vendimin dhe mendon se kufizimet duhet të jenë më të zbutura.

OBSH ka paralajmëruar të gjitha vendet se “Omicron” ka mundësinë për t’u bërë dominant në javët në vijim në të gjithë botën. Ilir Alimehmeti , ekspert i shëndetit publik thotë se, kjo gjë ekziston edhe për vendin tonë nuk duhet parë si një lajm i keq, pasi ka arritur të spostojë variantin “Delta”.
“Nuk ka ndonjë çudi, a do të ndodhë në janar, a do të ndodhë në shkurt. Megjithatë provat konkrete do duhet t’i presim akoma. Pra, kjo ka të bëjë me qënit pozitiv, pra po i lë vendin Deltës dhe jo detyrimisht ky është një lajm i keq. Ky është edhe një lajm i mirë. Pra, mund të ishte ai virusi që ne prisnim, që do të thotë spostoj Deltën dhe të ketë vetë një klinikë pak më të butë”, shtoi Alimehmeti.
Pak kohë më parë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kishte hedhur idenë që në baret dhe restorante të mund të lejohej hyrja vetëm përmes pasaportës së vaksinimit, po asnjëherë nuk u mor një vendim edhe pse dukej i pamundur.
Masat e përcaktuar nga Komiteti i Ekspertëve janë:
1.Çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.
- Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.
- Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet: Afrikë e Jugut,Kenia,Angola,Zambia,Bostëana,Senegal
duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
-Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore. - Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
- Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
- Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
- Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
- Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
- Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
- Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
- Vijon që në strukturën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu siç është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
- Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
- Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
- Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



