Politike

Drafti i BE, pse negociatat do të harrohen edhe këtë herë

Presidenca sllovene këshillon caktimin e një date sa më të afërt për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pa kushtëzuar që kjo të ndodhë në bllok, duke lënë të hapur mundësinë që udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së të miratojnë shkëputjen e Tiranës nga Shkupi në këtë proces.

Drafti i paraqitur për diskutim në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme merr parasysh faktin që Maqedonia e Veriut bllokohet nga vetoja bullgare. Sofja ripërsëriti të shtunën se nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga kërkesat e saj drejtuar Shkupit, që lidhen me gjuhën dhe kulturën.

Ndonëse në draftin e Presidencës sllovene zgjerimi “rikonfirmohet si politikë kyçe e Bashkimit Europian”, ai nuk pritet që të jetë prioritet në diskutimet e udhëheqësve të BE-së, që nisin duke filluar nga e marta. Pandemia, rimëkëmbja ekonomike dhe masat kufizuese nën dritën e shfaqjes së Omicron pritet që të mbizotërojnë këto diskutime dhe pas tyre edhe përplasja e brendshme e institucioneve të BE me shtetet rebele si Polonia dhe Hungaria.

Shkak është edhe qëndrimi ngurrues i Presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky i fundit prezantoi të enjten prioritetet e presidencës franceze, që fillon nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe përmbyllet në në korrik.

Prioritetet e Macron lidhen me emigracionin, politikat e azilkërkimit dhe reformimin e lëvizjes në hapësirën Shengen, duke lënë dukshëm në plan të dytë zgjerimin, pavarësisht përpjekjeve të Presidentit francez për ta fshehur këtë fakt përmes zotimit se do të organizojë një konferencë me Ballkanin Perëndimor.

Macron nuk dha asnjë datë, por parashikohet që konferenca të mos mbahet para fundit të muajit prill për shkak të zgjedhjeve presidenciale që mbahen në fillim të këtij muaji në Francë. Macron ende s’e ka shpallur zyrtarisht rikandidimin, por rivalët e tij tashmë kanë dalë tre.

Marine le Pen dhe Eric Zemmour janë dy emrat e ekstremit të djathtë që sfidojnë Macron dhe emigracionin dhe azilin e kanë shndërruar në një prej shtyllave kryesore të fjalimeve dhe programeve të tyre. Përveç tyre, emigracioni dhe politika më të ashpra kundër tij ka premtuar dhe konservatorja i republikanëve, Valerie Pecresse, që po rritet gjithnjë e më shumë në sondazhe. Për të tre kandidatët sondazhet sugjerojnë një rritje të popullaritetit.

Macron pritet t’u kundërpërgjigjet përmes nismave anti-emigracion gjatë Presidencës së Bashkimit Europian. Të tilla janë nismat për reformimin e Shengenit dhe pezullimin e lëvizjes së lirë në kufijtë e brendshëm të unionit në raste krizash, të ngjashme me atë të 2015-s, apo nisma për ashpërsimin dhe unifikimin e praktikave të azilit.

Ndërkaq theksohet se, “ky proces është investim në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë”.

Më tej në këtë konkluzion thuhet se anëtarësimi në BE duhet të jetë në mbështetje të vlerave themelore.

“Këshilli nënvizon se mbështetja e vlerave themelore të BE-së dhe perspektiva evropiane është një zgjedhje e vendosur strategjike, thelbësore për të gjithë partnerët që synojnë anëtarësimin në BE”.

Në anën tjetër, nga vendet e rajonit kërkohet që t’i përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.

Ndërsa, po ashtu kërkohet që edhe politikat e tyre për ruajtjen e ambientit të përshtaten me strategjinë e BE-së.

Kjo pritet të bëhet përmes “agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor” dhe do të jetë pjesë përbërëse e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli nënvizon se sundimi i ligjit do të jetë një element kyç, nga i cili do të varet dinamika e përparimit të vendeve të rajonit në procesin e integrimeve evropiane.

Vendeve të rajonit i është bërë thirrje që të punojnë për bashkëpunim rajonal, veçanërisht drejt zbatimit të marrëveshjes për tregun e përbashkët rajonal, si dhe të punojnë për pajtim dhe fqinjësi të mirë.

Edhe një herë tërhiqet vërejtja se mohimi i gjenocidit, relativizmi i krimeve të luftës dhe madhërimi i kriminelëve nuk kanë vend në Evropë dhe se shkojnë kundër vlerave evropiane.

Në këtë draft nga Kosova kërkohet zbatimi i marrëveshjeve nga dialogun, po ashtu që të dy vendet të angazhohen me vullnet të mirë në këtë proces, në frymën e kompromisit, për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

“Këshilli përsërit pritjet e fuqishme që të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, të respektohen dhe zbatohen pa vonesa. Të dyja palët duhet, po ashtu, t’i shmangin veprimet që dëmtojnë stabilitetin, si dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialogun”, thuhet në këtë draft konkluzash.

Ndërsa, është mirëpritur konfirmimi i Qeverisë së re të Kosovës për përkushtimin ndaj rrugëtimit evropian dhe reformat e lidhura me këtë.

Ky këshill, konsideron se zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt dhe zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, janë zhvilluar mirë dhe në mënyrë transparente.

“Ato ishin edhe konkurruese, me përjashtim të hapësirave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në dokument.

Por, kërkohet që Kosova të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe të dëshmojë rezultate në luftën kundër korrupsionit, si dhe t’i zbatojë reformat në përputhje me standardet evropiane.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk ka ndonjë risi.

Përsëritet se “Këshilli e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës” dhe kujtohet se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin, Parlamenti Evropian e ka mbështetur, porse tash çështja ndodhet në shqyrtim në Këshill.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë