Sa herë të flitet për variantin Omicron, diskutimi nuk duhet ndalur vetëm në numrin e mutacioneve, por duhet të përfshijë edhe vendndodhjen dhe funksionin e tyre!
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se shumë prej mutacioneve të Omicron-it ndodhen në zonat që lidhen nga antitrupat neutralizues, gjë që tregon se vija e parë e mbrojtjes kundër COVID-19 mund të jetë prekur.
Sipas mjekut qoftë infeksioni natyror, qoftë vaksina krijojnë edhe përgjigje qelizore të limfociteve T që shërbejnë për mbrojtjen nga format e rënda kundër COVID-19.
Alimehmeti shkruan se në një studim elitar i kryer dhe financuar nga agjencia shtetërore “National Institute of Allergy and Infectious Diseases” dhe “National Institutes of Health” (SHBA) që udhëhiqej nga Anthony Fauci, tregoi se duhet të studioheshin më së shumti qelizat T për të parë si do të zhvillohet ky variant.
“Studimi i publikuar në datën 9 dhjetor vëzhgoi 30 persona të infektuar në mënyrë natyrore nga SARS-CoV-2 në periudhën Prill-Maj 2020. Rezultatet janë krejtësisht të pritshme dhe pozitive:
-52 epitope(pjesëza të mutacionit) të virusit njihen nga limfocitet T, të personave të infektuar me variantin origjinal;
-1 epitop i vetëm ndër to përmban një mutacion në variantin Omicron.
Kështu përfundimi i autorëve ishte se virtualisht të gjithë individët me përgjigje të limfociteve T, duhet ta njohin variantin omicron”,shkruan Alimehmeti.
Duke analizuar studimin mjeku epidemiolog shton se omicron nuk ka zhvilluar mutacione që i shpëtojnë përgjigjes imunitare nga qeliza T. Sipas tij këto të dhëna vërtetojnë vëzhgimet e terrenit, që evidentojnë infektime të lehta ose pa shenja fare nga Omicron, edhe të personave të vaksinuar apo të infektuar në mënyrë natyrore më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje