Në spitalin Covid në QSUT, është shtuar numri i shtrimeve në terapinë intensive.
Burime konfidenciale nga QSUT i thanë gazetës “SI” se, reparti i terapisë intensive është i tejmbushur me pacientë kryesisht nga rrethet. Sipas burimeve, pacientët janë më së shumti nga Korça, Fieri dhe padyshim nga Tirana e cila mban dhe numrin më të lartë të infeksioneve me COVID 19.
“Pacientët vijnë në gjendje të rënduar, pasi nuk janë përmirësuar nga terapia që kanë marrë në shtëpi. Pjesa më e madhe e rasteve dërgohen nga spitalet rajonale drejt Tiranës pasi nevojitet mjekim i specializuar.
“Në terapinë intensive janë mbi 20 pacientë të moshës 50 vjeç e lart. Gjendja e tyre është e rëndë por vetëm 4 shtrime janë në reanimacion të intubuar. Pjesa tjetër, megjthë problemet që shfaqin, vijojnë të jenë në gjendje të stabilizuar, por me aparat oksigjeni sepse kané probleme me saturimin”, thonë burimet për gazetën “SI”.
Në QSUT, të shtruar me covid dhe të rinj
Në krahasim me një vit më parë, në spitalin Covid në QSUT këtë periudhë janë shtuar të rinjtë e prekur nga koronavirusi.
Mjekët thonë se kjo kategori pacientësh përmirësohen më shpejt, por ndryshe nga mosha e tretë, arsyeja e shtrimit në spital është neglizhenca në mjekim.
“Rastet e konstatuara tek të rinjtë tregojnë për injorim të simptomave deri në përkeqësimin e tyre. Një pjesë e të rinjve janë dhe të pavaksinuar”, thonë burimet në QSUT.
Situata e njëjtë tek spitali “Shefqet Ndroqi”
Edhe spitali “Shefqet Ndroqi” në Tiranë raporton rritje të shtrimeve në dhjetëditéshin e parë të dhjetorit. Sipas planit të organizimit nga ministria e Shëndetësisë, ky spital trajton rastet postcovid mes të cilave ka pasur dhe humbje jete.
“Prej kohësh spitali ynë raporton rritje të numrit të pacientëve që shfaqin probleme të rënda shëndetësore pasi janë prekur nga covid si fibroza pulmonare, insufiçenca renale, hipertensioni etj”, thonë mjekët.
Nga informacioni i një dite më parë, në spitalet COVID po marrin trajtim 136 pacientë, nga të cilët 18 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit ka 2 humbje jete me SARS-COV2 pozitiv; dy qytetarë nga Tirana 56- 88 vjeç.
Nga përfaqësues të qeverisë dhe autoritet e shëndetit vazhdimisht bëhet apel për rritje të ndërgjegjësimit për tu vaksinuar si dhe për të mos neglizhuar shenjat e sëmundjes por të kontaktohet mjeku i familjes për t’u testuar ose të telefonohet Urgjenca Kombëtare në numrin unik 127
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje