Bota

Ukraina, Biden kërcënon Putinin me sanksione të forta: Kthehu në diplomaci

Dy orë bisedë në internet dhe një rezultat i parë: Joe Biden dhe Vladimir Putin ranë dakord t’u besonin “skuadrave të tyre detyrën për të vazhduar” debatin mbi krizën ukrainase. Megjithatë, nuk do të ishte e kujdesshme të nxirreshin përfundime të nxituara. Ashtu siç po debatonin dy liderët, pati disa përplasje jo shumë larg Donjeckut, në vijën që ndan ushtrinë ukrainase dhe milicitë pro-ruse të mbështetura nga Moska.

Kamerat treguan pamjet e hapjes së samitit. Atmosferë në dukje e relaksuar. Putin flet i pari: “Përshëndetje, zoti President”.

Biden i përgjigjet: “Kënaqësi për t’u takuar përsëri, për fat të keq herën e fundit, në G20, nuk pati asnjë mundësi për t’u takuar. Shpresoj që herën tjetër të shihemi personalisht”. Por deklarata përfundimtare e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë ka një ton shumë të ndryshëm.

Fillimisht, theksohet se “Biden ka shprehur shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë për përshkallëzimin e forcave të armatosura që rrethojnë Ukrainën”.

Pastaj pasazhi më i vështirë: “Duhet të jetë e qartë se ne dhe aleatët tanë do të përgjigjemi me sanksione të forta ekonomike dhe masa të tjera në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm ushtarak. Presidenti Biden përsërit mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Vetëm në fund vjen apeli: “Të kthehemi në diplomaci, le të punojnë këshilltarët tanë”. Qëllimi imediat është të sigurohet një “armëpushim” i përhershëm në të gjithë rajonin. Atëherë duhet të hapet faza e re e negociatave.

Por rruga është e ngushtë. Marrëveshjet e Minskut, të përditësuara në vitin 2015, parashikojnë, me pak fjalë, se Kievi do të rimarrë kontrollin e plotë të kufijve, pra edhe të Donbasit të pushtuar nga pro-rusët. Në këmbim, parlamenti ukrainas do të duhet të miratojë një reformë kushtetuese që i jep më shumë autonomi rajoneve lindore.

Ky model, megjithatë, duket se është zëvendësuar nga faktet. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskij, mendon se vendi do të jetë i sigurt vetëm nën mburojën e NATO-s.

Një perspektivë që Putin e konsideron thjesht të papranueshme dhe për këtë arsye ai ka vendosur 175,000 ushtarë pranë kufirit me Ukrainën.

Biden konfirmoi përshtypjen e përhapur prej ditësh në Uashington. Në rast të një agresioni rus, amerikanët nuk do të dërgojnë ushtarë për të mbrojtur Kievin. Çfarë do të bëjnë ata atëherë? Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, doli para gazetarëve për të dhënë disa përgjigje.

Së pari, Biden do të vazhdojë të konsultohet me aleatët. Dje, presidenti i telefonoi sërish Mario Draghit dhe liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, siç bëri një natë më parë, në prag të samitit virtual me Putinin.

“Ne punojmë me ta për sanksionet e mundshme ekonomike”, – tha Sullivan. Sipas burimeve, masat mund të përjashtojnë Moskën nga qarku  ‘Swift’ për pagesat në shkallë ndërkombëtare; mund t’i bllokohet konvertueshmëria e rublës (leku rus); mund t’i mbyllen kanalet e financimit për kompanitë e naftës, duke filluar nga ‘Gazprom’. Bankat shtetërore, si VTB dhe Gazprombank, gjithashtu mund të preken.

Nga ana tjetër, SHBA do të rrisë gjithashtu furnizimet ushtarake në Ukrainë. Sipas informacionit të mbledhur në mjediset pranë Pentagonit, do të dërgohen bateri të tjera të raketave anti-tank ‘Javelins’ dhe skuadroneve të dronëve.

Më në fund, Sullivan siguroi vendet e Evropës Lindore, se nëse Putin do të sulmonte Ukrainën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të forcojnë aftësitë e reagimit ushtarak në Poloni, Rumani dhe vendet baltike”.

Përshtati: Gazeta ‘Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë