Kombetarja

Reja, pjesë e fushatës së UEFA-s: Larg alkoolit e duhanit, bëni aktivitet fizik! (video)

Edi Reja, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, është bërë pjesë e fushatës së UEFA-s “Coaches for Health – Feel Well, Play Well” (Fushata e trajnerëve për shëndetin – Ndjehu mirë, luaj mirë). Me anë të kësaj fushate, ku marrin pjesë trajnerët e kombëtareve të të gjitha federatave anëtare të UEFA-s, synohet ndërgjegjësimi i të rinjve për të bërë sa më shumë aktivitet fizik dhe për t’u ushqyer shëndetshëm.

Reja, 76 vjeç, u bën apel të rinjve në video-mesazhin e tij që të qëndrojnë larg alkoolit dhe duhanit. Trajneri italian jep shembullin e tij personal të ruajtjes së formës fizike edhe në këtë moshë.

“Gjithmonë kam dashur të ruaj formën fizike. Nuk rri dot asnjë ditë pa bërë diçka, kohët e fundit preferoj biçikletën. Është shumë e rëndësishme të evitohet përdorimi i alkoolit, mënyra e të ushqyerit është shumë e rëndësishme dhe mbi të gjitha aktiviteti fizik. Jam 76 vjeç dhe ndihem akoma i ri, sepse kam bërë gjithmonë një jetë shumë të rregullt.

Gjendja mendore, që është thelbësore përtej gjendjes fizike, duhet të jetë gjithmonë në plan të parë, sepse është mendja që të bën të lëvizësh”, – thotë Reja mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë