Shendet

Është më agresiv apo fundi i pandemisë? Ja çfarë mund të ndodhë me variantin ‘Omicron’. Të gjithë skenarët

Mbërritja e ‘Omicron’, varianti i ri i koronavirusit i identifikuar për herë të parë në Botsvanë dhe Afrikën e Jugut dhe tashmë i pranishëm në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera në mbarë botën, është pritur me ankth dhe frikë të madhe.

Shumë kombe kanë mbyllur kufijtë e tyre duke parandaluar uljen e fluturimeve nga Afrika e Jugut dhe rajone të tjera afrikane, një zgjedhje e kontestuar nga shumë shkencëtarë (dhe nga OBSH), sepse qëndrimi mbyllës nuk i inkurajon vendet të komunikojnë shpejt variantet e reja nëse më pas ndëshkohen nga izolimi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, e identifikoi menjëherë ‘Omicron’ si një variant shqetësues dhe sot pyetja ende pa një përgjigje të qartë është: a do të na mbrojnë vaksinat edhe nga ‘Omicron’?

Efekti i ‘Omicron’ në pandemi

E vërteta është se ardhja e ‘Omicron’ nuk është domosdoshmërisht një lajm i keq. Efekti i ‘Omicron’ në rrjedhën e pandemisë do të varet nga tre nga karakteristikat e tij: transmetueshmëria e tij, aftësia e tij për të shmangur mbrojtjen imune të shkaktuar nga vaksinat dhe virulenca e tij, ose nëse do të shkaktojë një sëmundje më serioze.

Nëse do të zbulohej se ‘Omicron’ transmetohet lehtësisht nga një pritës në tjetrin, se ai shmang antitrupat neutralizues dhe shkakton një sëmundje serioze, atëherë situata do të ishte vërtet komplekse dhe pasojat mund të ishin të tmerrshme.

“Por nëse Omicron rezulton të jetë një variant super ngjitës që shkakton simptoma të buta, atëherë mund të jetë gjithashtu një lajm i mirë, pikërisht në kohën e Krishtlindjeve”, shkruan Rachel Gutman në "The Atlantic".

Pse do të jetojmë me Covid

Tani është mendimi i shumë njerëzve, se të jetosh me koronavirusin është e pashmangshme. Vaksinimi i të gjithë njerëzimit nuk duket të jetë diçka lehtësisht e realizueshme. Edhe vendet e pasura që kanë pasur sasi të mëdha vaksinash, nuk kanë mundur të imunizojnë 100% të popullsisë, duke pasur parasysh numrin e madh të njerëzve që refuzojnë vaksinën nga frika apo arsye ideologjike.

Fatkeqësisht, vaksinat në treg nuk janë sterilizuese: ato ende reduktojnë rrezikun e shtrimit në spital, sëmundjeve të rënda ose vdekjes (megjithëse me përqindje më të ulëta në krahasim me variantin ‘Alfa’), por nuk parandalojnë plotësisht transmetimin.

Për më tepër, efektiviteti i tyre zvogëlohet në kohë shumë më të shkurtra (3-4 muaj), sesa koha e nevojshme për të vaksinuar popullatën, duke e bërë praktikisht të pamundur që të ketë gjithmonë kohën e duhur midis përqindjeve të larta të individëve të imunizuar në koincidencë me një incidencë të lartë të virusit.

Së fundi, edhe pse çdo qenie njerëzore në Tokë merr imunitet nga vaksinat ose infeksionet, virusi mund të tërhiqet në një nga  kafshët e shtëpisë dhe më pas të kthehet te njerëzit në mënyrë të shumëfishuar, në atë që shkencëtarët e quajnë "zonozë e kundërt".

Në pamundësi për të zhdukur virusin

Shumë shkencëtarë kanë marrë në dorë të ardhmen e pandemisë. Askush tani nuk beson se çrrënjosja e Covid është një qëllim realist.

Edhe Anthony Fauci, këshilltar imunolog në Shtëpinë e Bardhë, në fillim të tetorit kishte deklaruar: "Do të jetë shumë e vështirë, të paktën në të ardhmen e afërt dhe ndoshta asnjëherë, të eliminohet ky virus shumë i transmetueshëm".

“Meqenëse ky armik nuk mund të mposhtet, ne të gjithë do të kishim një shans më të mirë për të mbijetuar nëse do të ishte i armatosur me llastiqe dhe jo me top”, shkruan sërish “The Atlantic”.

Çfarë ndodh në Afrikën e Jugut

Të dhënat e para të mbërritura nga Afrika e Jugut për infeksionin ‘Omicron’, raportuan raste me simptoma të lehta dhe më pak të rënda të ‘Delta’ (megjithëse duhet kujtuar se popullsia afrikane është dukshëm më e re se mesatarja evropiane dhe për këtë arsye mund të jetë më pak e ndjeshme ndaj komplikimeve të shkaktuara nga Covid).

Megjithatë, përhapja e variantit ‘Omicron’ në Afrikën e Jugut, po shkakton një rritje eksponenciale të infeksioneve. "Buletini i fundit", flet për 11.535 infeksione dhe 44 vdekje, me shtim të shtrimeve në spital (274 pacientë më shumë në spital brenda një dite) dhe një rritje të infeksioneve me 365% krahasuar me javën e kaluar. Ndërkohë që janë raportuar edhe raste të riinfeksionit.

Sipas një studimi paraprak, rreziku i riinfektimit në këtë valë të ‘Omicron’, është 2.4 herë më i lartë se në valën e parë, por ende nuk dihet nëse rrjedhja e imunitetit përfshin edhe të vaksinuarit dhe do të duhet të presim testet e neutralizimit në vazhdim. 

Në Evropë, asnjë rast serioz apo vdekje nga varianti ‘Omicron’ nuk është regjistruar deri më tani - megjithëse ka vetëm rreth gjashtëdhjetë raste të konfirmuara.

Më i butë dhe më i transmetueshëm

Nëse ‘Omicron’ do të rezultonte vërtet më i butë se ‘Delta’, sigurisht që do të ishte një lajm i mirë. Por nëse rezulton të jetë edhe "më i butë" dhe më i transmetueshëm, mund të jetë edhe një lajm i shkëlqyer. Kur qarkullojnë dy variante, ai që infekton më shumë njerëz dhe më shpejt, do të priret të dominojë.

"Omicron gjithashtu mund të shënojë fundin e frikës pandemike, - komenton Arnaldo Caruso, president i Shoqatës Italiane të Virologjisë, - dhe të bëhet fillimi i fazës që pritet nga komuniteti shkencor në mbarë botën: një marrëdhënie paqësore midis njeriut dhe koronavirusit. Nëse varianti i ri vërtet rezulton të jetë më i transmetueshëm, por më pak agresiv, mund të jetë përshtatja e Sars-CoV-2 që prisnim”.

Largimi imunitar

"Omicron mund të mbizotërojë ose sepse riprodhohet më shpejt te trupat  njerëzorë dhe përhapet në mënyrë më efektive midis tyre, kështu që bëhet më ngjitës ose sepse i shmanget me mjeshtëri imunitetit të fituar nga infeksioni ose vaksina", - shpjegon Samuel Scarpino për “The Atlantic, i “Pandemic Prevention Institute of Rockefeller Foundation” (Instituti i Parandalimit të Pandemisë i Fondacionit Rockefeller).

Të flasësh për imunitetin, mund të tingëllojë alarmante: ideja për të filluar nga e para pas dy vitesh luftë të vështirë kundër virusit, nuk duket shumë qetësuese. Askush pas vaksinimit nuk do të donte t'i thuhet se është ende i ndjeshëm ndaj tij. Megjithatë, një variant që shkakton riinfeksion, por nuk çon në një sëmundje serioze që kërkon ndihmë ventilatore, mund të mos jetë aq i keq.

"Nëse zbulojmë se Omicron anashkalon vaksinat, por në fund shkakton sëmundje të lehta, ne ndoshta po shkojmë në drejtimin e duhur", - thotë Elizabeth Halloran, biostatiste e “Fred Hutchinson Cancer Research Center”, (Qendra Kërkimore e Kancerit Fred Hutchinson).

Qëllimi i virusit, bashkëjetesa

Qëllimi i viruseve, veçanërisht i viruseve të frymëmarrjes, si Sars-CoV-2, është të infektojnë sa më shumë njerëz të jetë e mundur, duke shfrytëzuar organizmin për t'u shumuar dhe për të vazhduar të qarkullojë.

Virusit nuk i leverdis të eliminojë pritësin, duke u sjellë në mënyrë agresive (do të vdiste gjithashtu): është më mirë të kërkohet një bashkëjetesë, që i lejon atij të mbijetojë.

“Sa më shumë që jep pak simptoma apo edhe aspak simptoma, - thekson Arnaldo Caruso, i cili është gjithashtu profesor i mikrobiologjisë dhe mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Breshias në Itali, - aq më shumë një virus ka mundësinë të transmetohet vetë, të vazhdojë rrjedhën e tij dhe të mbizotërojë në formën e tij më ngjitëse, më e shpejtë, por më e butë në të gjitha variantet e tjera. Kjo është ndoshta ajo që po ndodh, edhe nëse deri më sot të dhënat e disponueshme janë të pakta dhe gjithçka mbetet për t'u verifikuar dhe kuptuar”.

A do të humbasim imunitetin e fituar?

Megjithatë, është e mundur që me një ‘Omicron’ super ngjitës dhe në të njëjtën kohë super të butë, ata që infektohen nuk do të zhvillojnë imunitet të mjaftueshëm për t'u mbrojtur nga një infeksion i mëvonshëm. Rastet e lehta të Covid mund të mos stimulojnë sistemin imunitar të prodhojë aq shumë antitrupa sa do të zhvillohej kundër sëmundjes së rëndë.

Për këtë temë, studimet nuk kanë qenë unike dhe ka kërkime në të cilat tregohet se një infeksion i lehtë, nuk përjashton domosdoshmërisht një përgjigje të fortë imune dhe në vend të kësaj, mund të hyjë në fushën e qelizave T, të afta për të luftuar "pushtuesin" herën tjetër që aim und të shfaqet.

Koronavirusi si ftohja

Hipoteza se koronavirusi mund të shndërrohet në një ftohje me kalimin e viteve, duke u bërë një sëmundje endemike, është hedhur disa herë nga studiuesit.

Janarin e kaluar, një artikull i botuar në revistën "Science", bazuar në studimin e koronavirusëve të tjerë njerëzorë, parashikoi që Sars-CoV-2 një ditë do të bëhej endemik.

Nëse SarsCoV2 ndiqte gjurmët e koronavirusëve të tjerë përgjegjës për ftohjen e zakonshme - përfunduan studiuesit - infeksioni mund të zvogëlohet ndjeshëm: sipas parashikimeve, ai mund të godasë për herë të parë brenda moshës 3-5 vjeç me simptoma modeste dhe më pas të përsëritet në moshë madhore, por edhe më lehtë.

Me fjalë të tjera, koronavirusi ka të gjitha karakteristikat për t'u bërë endemik: do të jetë një patogjen që qarkullon në nivele të ulëta dhe rrallë do të shkaktojë sëmundje serioze.

Në pritje të të dhënave

Deri më sot, ‘Delta’ është dëshmuar të jetë një variant ideal: mjaftueshëm i transmetueshëm për të dominuar variantet më të rrezikshme si ‘Beta’ dhe ‘Gamma’, por në përgjithësi, virulenca e saj ende mund të kontrollohet me anë të vaksinimit.

Vetëm në javët në vijim, do të jetë e mundur të zbulohet nëse ‘Omicron’ do të ketë ngarkesën e tij të pozitivitetit (dhe do të ishte një dhuratë e bukur për Krishtlindje), ose nëse do të provojë të jetë një variant i "arratisjes imune", i aftë ndër të tjera të shkaktojë sëmundje më të rënda.

Përshtati në shqip: “Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë