Në Madrid, numri 2 në botë, Danil Medvedev, i ka dhuruar pikën vendimtare Rusisë në fitoren ndaj Suedisë. Rusia, favorite kryesore për fitimin e Kupës Devis, është gjysmëfinalistja e fundit, pas Gjermanisë, Serbisë dhe Kroacisë. Në gjysmëfinale, rusët do të ndeshen me gjermanët.
Skuadra e kapitenit të përjetshëm Samil Tarpishev, mundi 2-0 Suedinë, që ishte kualifikuar në çerekfinale si vendi i dytë më i mirë. Rezultati në fakt nuk tregon atë që ndodhi në lojë. Andrei Rublev vetëm në momente të caktuara ishte në lartësinë e vendit që mban në klasifikim (numri 5). Ai mundi pas 2 orësh e 11 minuta Elias Ymer në një ndeshje që mund ta zgjidhte më mirë.
Për Danil Medvedev ishte thuajse një formalitet ta mbyllte ndeshjen me një 6-4 të dyfishtë, pas një ore e 13 minutash. Ai u ndesh me Mikaelin, me më të fortin nga vëllezërit Ymer. “Ariu” nuk është se shkëlqeu në këtë ndeshje, por kjo ishte fitorja e tretë e tij në tri ndeshje, ku nuk ka humbur asnjë set.
Të premten luhet gjysmëfinalja e parë e Kupës Devis. Do të jetë një derbi i nxehtë ballkanas mes Serbisë së Gjokoviçit dhe Kroacisë së Çiliçit. Në gjysmëfinalen tjetër, Rusia përballet me Gjermaninë, që nuk ka në gjirin e saj këtë herë Aleksandër Zverev.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.