Ish-shefi i Narkotikëve të Policisë Vlorë, Gjergji Kohila është dënuar këtë të mërkurë me 8 vite burg, edhe pse vijon të jetë në arrati që prej nëntorit të vitit 2017.
Ish-zyrtari i policisë ka marrë një dënim nga GJKKO prej 12 vjetësh, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do t’i ulen 4 vjet.
Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë, është një nga zyrtarët e policisë si i përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e 3 tonë kanabis.
39-vjeçari nga Delvina, akuzohet për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Dosja “Habilaj” prej 4 vitesh është në dorë të autoriteteve, ku 4 anëtarë të këtij grupi u dënuan në total me 37 vite burg disa muaj më parë nga Gjykata e Posaçme.
Për ketë çështje në proces, është në gjykim edhe ish-ministri i Brendshëm Sajmit Tahiri dhe ish-shefi policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Ndërsa për Sokol Boden, ish-shefin e stacionit policor Dhërmi, dosja është veçuar, pasi ai nuk e ka pranuar gjykimin e shkurtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.